Sport

Djokoviç largohet nga Australia pas deportimit


Novak Djokoviç “u largua” si i dëbuar nga aeroporti i Melburn-it të dielën e 16 janarit.

Kjo, pasi humbi një betejë gjyqësore për të shmangur deportimin e tij nga Australia.

Një reporter i Agence France Presse ka konfirmuar se fluturimi i tij është nisur për në Dubai.

Tenisti serb deklaroi pas vendimit të gjykatës federale se ishte “jashtëzakonisht i zhgënjyer”, por e respektonte atë.

Një Djokoviç i maskuar u fotografua në një sallë pritjeje të aeroportit të Melburn-it me dy zyrtarë qeveritarë me uniforma të zeza.

Ai ka fituar nëntë tituj rekord të Australian Open, përfshirë tre radhazi, por këtë herë nuk do të ketë as mundësinë për ta provuar një gjë të tillë.

Djokoviç tha se ishte “i mërzitur” që fokusi kishte qenë tek ai qëkurse viza e tij u anulua.

“Shpresoj që të gjithë tani të përqendrohen te loja dhe turneu që duam”, tha ai.

Federata kombëtare që drejton turneun, Tenis Australia, tha se respekton vendimin e Gjykatës Federale.

“Ne presim me padurim një Australian Open konkurrues dhe emocionues 2022 dhe u urojmë të gjithë lojtarëve fat të mirë”, thuhet në një deklaratë.

Në Serbi, presidenti Aleksandër Vuçiç e konsideroi seancën “një farsë me shumë gënjeshtra”.

“Ata mendojnë se e poshtëruan Djokoviçin me këtë ngacmim 10-ditor por në fakt poshtëruan veten. Nëse do të thuash që ai që nuk është vaksinuar nuk ka të drejtë të hyjë, Novak nuk do të vinte ose do të vaksinohej”, u tha presidenti serb gazetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore