Lajme

“Deva Tours” konfirmon se njëri nga shoferët humbi jetën në aksidentin në Kroaci


Fotografi e shkrepur pas aksidentit tragjikë në në Slavonski Brod të Kroacisë

Kompania turistike “Deva Tours”, autobusi i së cilës u aksidentua në mëngjesin e ditës së diel në Kroaci, ka konfirmuar lajmin se njëri nga shoferët ka humbur jetën në këtë aksident.

“Me pikëllim të thellë ju njoftojmë që fatkeqësisht sot rreth orës 6:30, njëri nga autobusët tanë i linjës Frankfurt-Prishtinë ka pësuar aksident në Slovanski-Brod, Kroaci. Bazuar në informatat që i kemi nga vendi i ngjarjes, na bëjnë me dije që si pasojë disa nga pasagjerët tonë (ndër ta edhe njëri nga shoferët tonë) kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes dhe disa të tjerë janë lënduar”, thuhet në njoftim e kompanisë.

Sipas informatave të kompanisë “disa nga të lënduarit janë duke u trajtuar në qendrat mjekësore në rrethinën e Slovenski Brod”.

Kompania, ka siguruar gjithashtu që me të “gjitha mundësitë e tyre ata do të qëndrojnë afër familjarëve të viktimave dhe të lënduarve në këtë aksident”.

Në mëngjesin e të dielës si pasojë e një aksidenti të rëndë të një autobusi me udhëtarë nga Gjermania për në Kosovë, në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën 10 persona.

Sipas Ministrit të Shëndetësisë së Kroacisë, Vili Berosh, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore ku 15 prej tyre kanë pësuar lëndime më të rënda.

Ndërsa vendin e ngjarjes ku ka ndodhur aksidenti tragjik e ka vizituar edhe Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli duke thënë se ambasada po bën çdo gjë në bashkëpunim me autoritetet kroate dhe kosovare që të tejkalohet situata e vështirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore