Kosova

Dëshmitari i Mustafës në Speciale, nuk e dija që “Skifterët” njiheshin ndryshe si BIA


Dëshmitari në rastin Mustafa, identiteti i të cilit nuk dihet

Gjatë ditës së mërkurë të tre nëntorit, në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon seanca ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare në të Kosovës, Salih Mustafa.

Sikurse gjatë ditës së martë edhe të mërkurën po dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të pestë, ku pyetje kësaj radhe po parashtrohen nga trupi gjykues, e kryesuar nga gjykatësja, Mappie Veldt-Foglia.

Ai, ka thënë se nuk e ka ditur se njësia “Skifterët” e cila e kishte bazën në Zllashë ka qenë e njohur ndryshe edhe si BIA.

“Nuk e dija që “Skifterët” quheshin ndryshe edhe BIA, pas luftës e kam mësuar këtë emër. Nuk më kujtohet se ku e kam marrë këtë informacion”, ka qenë përgjigja e dëshmitarit ndaj pyetjes së gjykatëses Mappie Veldt-Foglia.

Tutje dëshmitari ka treguar se ka shkuar një herë në bazën e “Skifterëve” dhe që ka qëndruar jashtë dhe “nuk ka hyrë në objekt”.

Seanca për një kohë ka vazhduar e mbyllur për publikun.

Ndryshe gjatë ditës së marte, pyetje dëshmitarit të pestë në rastin Mustafa, identiteti i të cilit nuk është publik iu është përgjigjur pyetjeve të Prokurorit të Zyrës së Prokurorisë Speciale, Filip Deminçe dhe avokatit mbrojtës të akuzuarit, Julius von Bone.

Dëshmitari kishte deklaruar se me të akuzuarin nuk kishte pasur asnjëherë kontakt personal, por vetëm një përshëndetje.

Një deklarim të tillë ai e ka bërë duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Mustafës, Julius von Bone.

Se a ishte takuar ndonjëherë para, gjatë apo pas luftës me tani të akuzuarin Mustafa, kjo gjë nuk është bërë e ditur, meqë përmbajtja e deklaratës nuk është transmetuar.

Dëshmitari është pyetur se çfarë pune bënte ai në Shtabin e Komandës tek shkolla në fshatin Zllash, për çka, dëshmitari tha se aty kishte shkuar një apo dy herë për të dërguar ushqim.

Po ashtu, dëshmitari tha se kishte shkuar njëherë edhe tek baza e skifterëve.

 

Salih Mustafa

Nga dëshmitari është kërkuar që të përshkruajë këtë bazë, por dëshmitari ka deklaruar se atij i kujtohej vetëm se kishte qenë një shtëpi.

ai ka treguar se ka qenë pjesë e një njësie në kuadër të brigadës 153 të cilët kanë veshur uniforma të zeza, dhe shtabin e kanë pasur në fshatin Zllash.

Sipas dëshmitarit njësia ku ka qenë pjesë ai ka pasur edhe një skuadër të policisë ushtarake e cila ka veshur uniformë ushtarake.

Bazuar në deklaratat e dëshmitarit në Zllash shtabin e ka pasur edhe njësia me emrin “Skifterat”, ku komandant ishte i akuzuari.

Deri më tani në Gjykatën Speciale, për rastin e Mustafës janë dëgjuar katër dëshmitarë, derisa dy të tjerë pritet të dëshmojnë në muajin dhjetor të këtij viti dhe në janar të vitit të ardhshëm.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Hagë si dhe Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore