Përballje

Derbi i Anamoravës përfundon në paqe, spektakël golash në Llap


Ndeshja kryesore e javës së 24-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll, ishte derbi i Anamoravës mes Dritës dhe Gjilanit, i cili përfundoi në barazim 1:1.

Ndeshja u zhbllokua në minutë e 20-të, kur Shend Kelmendi kaloi në epërsi ekipin e Gjilanit.

Në vazhdim të pjesës së parë, u zhvillua një lojë e hapur nga të dyja skuadrat, por rezultati pas 45 minutave mbeti i pandryshuar.

Në pjesën e dytë vjen reagimi i futbollistëve të Dritës, kur në minutën e 54-të, Ardian Cuculi barazoi shifrat në 1:1.

Në vazhdim, loja u karakterizua me disa raste të mira për gol nga dyja skuadrat, por rrjetat nuk u tundën më deri në fund.

Ky barazim ndoshta i shkon më shumë përshtat Ballkanit, të cilët përsëri mbeten lider në Superligë me 48 pië, një më shumë se Gjilani dhe gjashtë më shumë se Drita.

Përkundër se e gjithë vëmendja ishte në derbin e Anamoravës, ndeshje shumë interesante u zhvillua edhe na Podujevë, ku Llapi barazoi me Drenicën, me rezultat 3:3.

Llapi e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë, të cilët qysh në minutën e tretë kaluan në epërsi me golin e shënuar nga braziliani, Bianor.

Mirëpo, nuk vonoi shumë dhe në minutën e 10-të Drenica barazoi rezultatin me golin e shënuar nga Denis Peposhi.

Pjesa e parë përfundoi me shifra të barabarta, teksa në të dytën u shënuan edhe katër gola të tjerë.

Në minutën e 58-të, Kreshnik Uka kaloi mysafirët nga Skenderaj në epërsi, derisa për ta barazuar rezultatin në 2:2, mendoi Ilir Krasniqi 10 minuta më vonë.

Uka ishte protagonist për Drenicën edhe në minutën e 77-të, kur kaloi për herë të dytë kuqezinjtë në epërsi.

Por, në minutat shtesë të ndeshjes vendasit arritën të barazojnë përsëri rezultatin me goli e realizuar nga braziliani Alef Firmino.

Me këtë barazim, asnjëra nga skuadrat nuk lëvizin pozicionohet, me Llapin që mbetet në vendin e katërt me 40 pikë, ndërsa një pozitë më poshtë qëndron Drenica me 32 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore