Lajme

Deputetëve që nuk vijnë në seanca duhet t’u shkurtohet paga


Kuvendi i Kosovës

Mungesa e deputetëve në seancat e Kuvendit të Kosovës dhe në mbledhjet e komisioneve, ka bërë që opozita të kërkojë sanksionim ndaj atyre që e praktikojnë atë.

Sipas deputetit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, mungesa e deputetit duhet të sanksionohet në pagë.

Ai për Albanian Post, ka theksuar se veprimet “e gabuara”, të deputetëve të Kuvendit të Kosovës në legjislaturat e fundit, që të mos marrin pjesë dhe të mos qëndrojnë në seancat parlamentare po krijojnë “precedentë dhe imazh të keq” për deputetët si përfaqësues të popullit.

“Kjo ndikon negativisht edhe në institucionet bazë të shtetit siç është Kuvendi i Kosovës. Zgjidhja është që deputetët të sanksionohen për mos prezencën e tyre në seancat e Kuvendit”, është shprehur Lekaj.

Pal Lekaj – deputet nga AAK

Sipas tij, kjo “duhet të ndodhë pa humbur kohë”, sepse siç potencon Lekaj, deputetët duhet të mbrojnë dhe arsyetojnë secilën votë të qytetarit.

“Kjo arrihet atëherë kur ata qëndrojnë në sallë dhe janë aktivë në mënyrë të vazhdueshme”, shtoi ai.

“Nëse nuk merr pjesë në gjashtë seanca, ai deputet shkarkohet, mendoj që duhet të jemi më rigoroz në këtë drejtim”.

Lidhur me këtë, Naser Shamolli –  nga Grupi për studime juridike dhe politike, për AP ka thënë se përfundimi i Lekajt në nivelin kushtetues, qëndron.

“Në nivelin kushtetues është i saktë konstatimi se mungesa prej gjashtë muaj rresht në seancat e Kuvendit është shkak për përfundimin e mandatit të deputetit”, tha ai.

Naser Shamolli –  nga Grupi për studime juridike dhe politike,

Sipas tij, ndonëse ka një rregullore që i sanksionon deputetët “përtacë”, në mungesë prej gjashtë seancash, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Përkundër që ekziston baza ligjore e njëjta nuk zbatohet në praktikë”, shtoi Shamolli.

“Ajo çka mungon është mungesa e një akti nënligjor i cili bën konkrete shumën e reduktimin të pagës bazë dhe kompensimit të shtesës”, shtoi ai.

Ndërkaq, sipas nenit 41 të ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit thuhet se nëse një deputet nuk i përmbushë detyrimet, atëherë paga bazë do të reduktohet.

“Nëse deputeti nuk merr pjesë në punimet e seancës plenare ose të organeve ndihmese të Kuvendit, ku ai është anëtar, paga bazë dhe kompensimi shtesë reduktohen. Nga ky reduktim përjashtohen rastet kur deputeti gjendet në detyrë zyrtare në funksionin e tij parlamentar”, thuhet në nen.

Ndërsa, rregullat e tjera për pjesëmarrjen e deputetit në punime dhe sanksionet e tjera “përcaktohen me Rregulloren e Kuvendit ose me një Rregullore të brendshme të Kuvendit”.

Në anën tjetër, Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, për AP ka kërkuar penalizim ndaj atyre deputetëve.

“Do të duhej të sanksionohen, sepse nuk është e ndershme që të thirret seanca dhe të mos ketë deputetë që të mbahet seanca ose që mos të ketë kuorum në komisione parlamentare”.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi

Sipas saj, është e pakuptimtë dhe papërgjegjësi që një deputet të mos marrë pjesë në seancat e kuvendit, madje edhe të komisioneve.

“E di që është në proces rregullorja e Kuvendit, dhe e di që aty janë duke u paraparë sanksione për deputetët që nuk po marrin pjesë në komisione parlamentare”, shtoi ajo.

Ndërkohë, në mungesë të kuorumit, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit brenda një kohë të shkurtër ka dështuar për të gjashtën herë me radhë.

Sipas Shefit të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, njëri nga anëtarët e mbledhjes së Kryesisë në moment të fundit ka anuluar pjesëmarrjen.

Besnik Tahiri i AAK-së

“Ajo që e di nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, është se nuk ka kuorum. Për ne është e papranueshme që kryesia të jetë kaq shumë jo funksionale”.

Ndërsa, Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar se mazhoranca ka hyrë në një krizë të thellë, e kjo sipas tij, po reflektohet me dështime të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

“Ngërçi do të zgjidhej më së miri me zgjedhjet e reja, dhe meqë kemi hyrë në një krizë të njëpasnjëshme të Kosovës, si duket mazhoranca është në një krizë të thellë, pas 14 nëntorit po shohim se nuk e kanë vullnetin të qeverisin dhe të jenë në kuvend, prandaj kjo mazhorancë i ka dy drejtime ose ta kthejë mandatin te populli ose të qeverisin vendin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore