Shqipëria

Çuçi: Operacioni “Bregdeti Ynë” do të vijojë edhe në zona të tjera


IKMT në operacionin "Bregdeti Ynë", Ksamil, qershor 2021

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ditёn e hёnё tha se, krahas shembjeve, po bëhet edhe pastrimi i zonave nga inertet.

“Operacioni ‘Bregdeti Ynë’, krahas shembjes së ndërtimeve pa leje, IKMT po bën edhe pastrimin nga inertet që mbeten pas, për të mos krijuar asnjë pengesë për pushuesit apo bizneset e tjera të ligjshme në zonat bregdetare”, tha Çuçi.

Ai paralajmëroi gjithashtu se, në vazhdën e operacionit “Bregdeti Ynё”, mjetet e Inspektoratit Kombëtar tё Mbrojtjes së Territorit (IKMT) do të nisin shembjen e objekteve edhe në zona të tjera veç Ksamilit dhe Velipojës.

“Kemi një hartë të plotë, ku janë evidentuar qartë të gjitha objektet. Shembja e tyre edhe çlirimi i hapësirave të zaptuara është vetëm çështje ditësh”, deklaroi Çuçi.

35 objekte janё shembur deri tani nga Ksamili në Velipojё, nё kuadёr tё operacionit.

Objektet kanё qenё me strukturё metalike dhe betoni.

Qindra objekte të tjera pritet të shemben deri në fund të qershorit përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit.

Operacioni “Bregdeti Ynë”

Më herët, lajmin për prishjen e ndërtimeve pa leje përgjatë bregdetit e ka bërë me dije vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Gjatë një vizite në Shëngjin, më 1 qershor, ka bërë me dije se forcat e Policisë së Shtetit dhe IKMT-së do të nisin operacionin “Bregdeti Ynë”. Ky projekt konsiston në fshirjen nga harta e bregdeteve çdo ndërtim pa leje.

Sipas kryeministrit, operacioni “Bregdeti Ynë” është një punë intensive. Ai gjithashtu e ka cilësuar bregdetin si “pasuria më e madhe që i është dhënë vendit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore