Përballje

Clippers dhe Hawks me fitore të rëndësishme në playoff


Ndeshjet e së premtes në playoff, ishin interesante ku kishte performanca fantastike individuale.

Pas një ndeshje dinamike, mes Mavericks dhe Clippers, fitoren e arritën këta të fundit me rezultat 118:108.

Kjo ishte fitorja e parë për Clippers në playoff-in e këtij sezoni.

Rezultati i serisë mes këtyre dy ekipeve tani është 2:1 në favor të Mavericks dhe dueli i radhës do luhet më 30 maj.

Ndeshja ishte e baraspeshuar deri në pesë minutat e fundit, ku Clippers arritën një epërsi prej 10 pikësh.

Luka Doncic dhe Kawhi Leonard kishin performanca brilante ku slloveni arriti të shënojë më shumë se 40 pikë dhe 29-vjeçari me 36 pikë të shënuara.

Gjatë ndeshjes ndodhi edhe një përleshje e vogël mes Doncic dhe Patrick Beverly, të cilët u fjalosën pas një faulli jo sportiv të Beverly.

Ndryshe nga dy ndeshjet e kaluara, Doncic nuk kishte ndihmën e mjaftueshme nga bashklojtarët e tij.

Më të mirët te Clippers ishin Kawhi Leonard me 36 pikë e 8 kërcime dhe Paul George me 29 pikë e 7 kërcime.

Ndërsa më të dalluarit te Mavericks, ishin Luka Doncic me 44 pikë, 9 kërcime e 9 asistime, Jalen Brunson me 14 pikë dhe Maxi Kleber me 14 pikë.

Ndeshje tjetër interesante ishte edhe ajo mes New York Knicks dhe Atlanta Hawks, e cila përfundoi me fitoren e këtyre të fundit me rezultat 94:105.

Kjo është një nga seritë më dramatike të këtij sezoni të playoff, ku të dy ekipet po bëjnë lojë fantastike.

Pas fitores të së premtes, Atlanta Hawks janë në epërsi prej 2:1 në këtë seri të playoff.

Ndeshja ishte e baraspeshuar në çerekun e parë, por, gjithçka ndryshoi në periodën e dytë ku Hawks arritën një epërsi prej 14 pikësh.

Derrick Rose dhe Trae Young kishin performanca fantastike, por ky i fundit kishte më shumë ndihmë se Rose në ndeshjen e fundit.

Atlanta Hawks kishin shtatë lojtarë me pikë dyshifrore, por, më të dalluarit ishin Trae Young me 21 pikë e 14 asistime, Bogdan Bogdanovic me 15 pikë e 8 kërcime dhe Clint Capela me 13 pikë e 12 kërcime.

Ndërsa te Knicks, më të mirët ishin Derrick Rose me 30 pikë dhe Julius Randle me 14 pikë e 11 kërcime.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore