Lajme

Cilat janë gjasat që Kosova përmes Nenit 4 të Marrëveshjes të anëtarësohet në OKB?


Ilustrim: Aleksandër Vuçiç, Josep Borrell, Miroslav Lajçak dhe Albin Kurti

Një ndër nenet më të kontestuara të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i dakordëusar të paktën gojarisht nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të hënën e 27 shkurtit në Bruksel, ka qenë neni 4, i cili në paragrafin e dytë thotë se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Sipas Vuçiç’it ky nen nënkupton njohjen indirekte të Kosovës, meqë ekziston rreziku që Kosova të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Por, sa janë gjasat që Kosova përmes kësaj dispozite të Marrëveshjes të anëtarësohet në OKB?

Sipas hulumtuesit në organizatën e pavarur, International Crisis Group, Marko Prelec, mundësia e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar, në këtë fazë, është zero.

“Kosova nuk mund të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara si anëtare e plotë pa pëlqimin e Kinës dhe Rusisë, madje nuk është e qartë se a do ta ketë shumicën e votave në Asamblenë e Përgjithshme”, thotë fillimisht ai në një intervistë për Albanian Post.

Kosova, argumenton më tej ai në të kaluarën ka dështuar në përpjekjet për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare si UNESCO dhe Interpol, pavarësisht se ka pasur shumicën e shteteve anëtare si njohës.

“Për shkak të punës së dobët diplomatike dhe sepse vetë njohja nuk përkthehet automatikisht në mbështetje”.

Qeveria e Kosovës në këtë fazë në vend se të punojë për anëtarësimin në OKB, sipas Prelec, më mirë të fokusohet në sigurimin e një mbështetjeje solide nga shumica e shteteve anëtare në atë mënyrë që të mund të kërkojë fillimisht nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së që ta pranojë atë si vëzhgues.

“Këshilli i Sigurimit nuk mund të vërë veton ndaj kësaj. Statusi i vëzhguesit ka përparësi. Ai më tej afirmon statusin e Kosovës si ‘shtet’ dhe do t’i lejonte asaj të aderojë në një gamë më të gjerë të traktateve dhe organizatave siç është Gjykata Ndërkombëtare Penale. Gjithashtu do t’i lejonte diplomatët e Kosovës të hynin në sistemin e OKB-së, ku ata mund të promovonin më tej interesat e shtetit të tyre”, ka argumentuar më tej ai për AP.

Anëtarësimi i plotë i Kosovës në OKB, sipas Prelec, nuk është mundësi reale përpara se Serbia ta njohë Kosovën, gjë që mund të marrë shumë kohë.

“Edhe më keq, nuk ka asnjë garanci që edhe pasi Beogradi ta njohë, Moska do të heqë veton e saj. Ky vendim tani ndoshta është ngujuar në strategjinë e Rusisë në luftën në Ukrainë dhe askush nuk e di se si do të zhvillohet”, ka shtuar ai.

Dokument – Ekskluzive: Përpilohet një shtojcë e re në udhërrëfyes për ta tejkaluar ngërçin e Nenit 4, hartuesit i tregojnë Vuçiç’it se e ka keqlexuar paragrafin

Intervistë e Marko Prelec për Albanian Post: Kosova ka fituar lotarinë me planin franko-gjerman, nuk jep asgjë dhe merr gjithçka

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore