Lajme

Intervistë e Marko Prelec për Albanian Post: Kosova ka fituar lotarinë me planin franko-gjerman, nuk jep asgjë dhe merr gjithçka


Ilustrim: Marko Prelec

Kosova, thotë Marko Prelec, hulumtues në organizatën e pavarur International Crisis Group, me propozimin franko-gjerman i shkrirë tashmë në një Marrëveshje për normalizimin e raporteve, ka fituar lotarinë.

Kjo për arsye se, siç shpjegon Prelec në një intervistë për Albanian Post, Kosova përveç se nuk jep asgjë fiton shumëçka.

“Së pari, kjo zgjidh çështjet rreth pasaportave, targave dhe dokumenteve të tjera zyrtare, marrëveshja pasi të hyjë në fuqi, dokumentet e Kosovës do të trajtohen saktësisht si të barabarta me ato të Serbisë apo të ndonjë vendi tjetër”, thotë fillimisht ai.

Megjithatë Prelec një njohës i mirë i Ballkanit, nuk beson se dispozitat e Marrëveshjes së 27 shkurtit parashohin në këtë fazë njohjen e Kosovës nga Serbia në mënyrë de facto, pasi që Marrëveshja, argumenton më tej ai, nuk është i dizajnuar si një traktat formal ndërmjet shteteve, i cili do të ishte një indikator shumë më i qartë i njohjes de facto.

“Marrëveshja ka referenca të qarta për mosmarrëveshje rreth ‘statusit’, që do të thotë se Serbia mban rezerva për statusin e Kosovës. Për këtë arsye, nuk do të lexoja shumë nenin në të cilin palët bien dakord të udhëhiqen nga parimet e kartës së OKB-së, sepse ato parime zbatohen në mënyrë eksplicite për ‘shtetet’, dhe Marrëveshja shmang me kujdes përshkrimin e palëve si shtete.

Prelec i habitur me argumentet e Qeverisë së Kosovë për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, thotë se nuk i kupton arsyet pse ekzekutivi kosovar me ngulm po kundërshton formimin e një mekanizmi që do t’i bashkonte dhjetë komuna që banohen me shumicë nga serbët në Kosovë.

“Sinqerisht, pak nga ato që thotë Qeveria kanë kuptim. Marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, të cilat skiconin atë që supozohej të ishte, janë krejtësisht të ndryshme nga Marrëveshja e Dejtonit. Ata thonë se nuk do të lejojnë një entitet serb, por Asociacioni është e qartë se nuk është ashtu, është një jo-entitet. Ata thonë se është kundër kushtetutës, por Gjykata Kushtetuese në fakt urdhëroi qeverinë të zbatojë marrëveshjen e Brukselit dhe të themelojë Asociacionin/Bashkësinë”.

Marko Prelec në këtë intervistë ka folur edhe për nenin 4 të Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për idenë e korrigjimit të kufijve si një alternativë e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si dhe për pritshmëritë e tij për takimin e Ohrit.

Intervista e plotë e Marko Prelec për Albanian Post

Albanian Post: Më 27 shkurt Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç u dakordësuan, të paktën gojarisht, për Marrëveshjen për rrugën për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, derivat i propozimit franko-gjerman. A e prisnit këtë rezultate dhe çfarë mendoni për të?

Marko Prelec: Mendoj se jemi në një gjendje hezitimi, sepse përderisa vetë Kurti dhe Vuçiç ranë dakord se nuk kishte asgjë më shumë për të diskutuar për Marrëveshjen, ata qartësisht nuk kanë rënë dakord për aneksin e saj, që do të thotë se në fakt ata nuk janë pajtuar fare. Aneksi është, sipas nenit 11, pjesë përbërëse e Marrëveshjes. Pra, duhet të presim dhe të shohim nëse ata do të gjejnë një mënyrë për të bërë kompromis për Aneksin. Çështja ka të bëjë kryesisht me afatet, konkretisht me atë se çfarë do të bëjë Qeveria e Kosovës në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Zhgënjimi i madh në Marrëveshje është se ajo injoron pothuajse tërësisht  pikëpamjet dhe interesat e pakicave në fjalë, serbëve të Kosovës, veçanërisht në Veri të Kosovës, dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Është me shumë një marrëveshje e imponuar atyre nga lart.

Albanian Post: Marrëveshja e dakordësuar ka 11 nene, kush përfiton më shumë nga kjo marrëveshje, nëse e njëjta zbatohet?

Marko Prelec: Kjo është sikur Kosova ta fitojë lotarinë. Merr shumë dhe nuk heq dorë nga asgjë. Së pari, kjo zgjidh çështjet rreth pasaportave, targave dhe dokumenteve të tjera zyrtare, marrëveshja pasi të hyjë në fuqi, dokumentet e Kosovës do të trajtohen saktësisht si të barabarta me ato të Serbisë apo të ndonjë vendi tjetër. Më pas, ajo hap rrugën për anëtarësim të menjëhershëm në Këshillin e Evropës. Marrëveshja përmirëson marrëdhëniet dypalëshe midis Beogradit dhe Prishtinës. Ajo do të ketë një peshë në Athinë dhe kryeqytetet e shteteve të tjera që nuk e njohin ende Kosovën, dhe shpresoj se të paktën disa prej tyre do të ndryshojnë qëndrimet e tyre nëse Marrëveshja hyn plotësisht në fuqi, edhe pse faktorë të tjerë, veçanërisht sjellja e Qeverisë së Kurtit do të luajë rol. Nga ana tjetër, njerëzit ankohen se Marrëveshja kërkon që Kosova ta implementojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por ky tashmë është një obligim të cilin kjo Marrëveshje nuk mund ta ndryshoj. Nuk ka lëshime të reja për Serbinë.

Albanian Post: Me këtë marrëveshje a fiton Kosova njohjen de facto nga Serbia?

Marko Prelec: Unë nuk mendoj kështu, megjithëse nuk jam ekspert i së drejtës ndërkombëtare. Marrëveshja qartësisht kërkon nga Serbia njohjen e dokumenteve të Kosovës, të cilat janë një formë e sovranitetit dhe kjo është e rëndësishme. Ju mund të argumentoni se kjo është një lloj e njohjes de facto, por Marrëveshja nuk duket se është e menduar si një traktat formal ndërmjet shteteve, i cili do të ishte një indikator shumë më i qartë i njohjes de facto, Marrëveshja ka referenca të qarta për mosmarrëveshje rreth “statusit”, që do të thotë se Serbia mban rezerva për statusin e Kosovës. Më tej, ajo paraqitet si një marrëveshje e përkohshme në rrugën drejt marrëveshjes përfundimtare, ligjërisht të obligueshme për të cilën BE-ja po avokon, e që është edhe një arsye tjetër për të dyshuar se në vetvete marrëveshja përmban një njohje de facto. Për këtë arsye, nuk do të lexoja shumë nenin në të cilin palët bien dakord të udhëhiqen nga parimet e kartës së OKB-së, sepse ato parime zbatohen në mënyrë eksplicite për “shtetet”, dhe Marrëveshja shmang me kujdes përshkrimin e palëve si shtete.

Albanian Post: Neni 4 i marrëveshjes, paragrafi i dytë, thotë se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare” dhe presidenti serb ka drojën se kjo nënkupton edhe njohje indirekte të Kosovës, meqë ekziston rreziku që Kosova të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara e kjo është organizatë e shteteve të pavarura. Cilat janë gjasat e anëtarësimit të Kosovës në OKB?

Marko Prelec: Kosova nuk mund të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara si anëtare e plotë pa pëlqimin e Kinës dhe Rusisë, madje nuk është e qartë se a do ta ketë shumicën e votave në Asamblenë e Përgjithshme. Kosova në të kaluarën ka dështuar në përpjekjet për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare si UNESCO dhe Interpol, pavarësisht se ka pasur shumicën e shteteve anëtare si njohës, për shkak të punës së dobët diplomatike dhe sepse vetë njohja nuk përkthehet automatikisht në mbështetje. Pra, shtrohet pyetja, kur Kosova mund të shpresojë realisht të anëtarësohet në OKB? Unë do ta zbërthej këtë në dy pyetje. Pasi të ketë mbështetje solide nga shumica e shteteve anëtare, Kosova mund të kërkojë nga Asambleja e Përgjithshme ta pranojë atë si vëzhguese; Këshilli i Sigurimit nuk mund të vërë veton ndaj kësaj. Statusi i vëzhguesit ka përparësi. Ai më tej afirmon statusin e Kosovës si “shtet” dhe do t’i lejonte asaj të aderojë në një gamë më të gjerë të traktateve dhe organizatave siç është Gjykata Ndërkombëtare Penale. Gjithashtu do t’i lejonte diplomatët e Kosovës të hynin në sistemin e OKB-së, ku ata mund të promovonin më tej interesat e shtetit të tyre. Unë nuk e shoh anëtarësimin e plotë si një mundësi realiste përpara se Serbia ta njohë Kosovën, gjë që mund të marrë shumë kohë. Edhe më keq, nuk ka asnjë garanci që edhe pasi Beogradi ta njohë, Moska do të heqë veton e saj. Ky vendim tani ndoshta është ngujuar në strategjinë e Rusisë në luftën në Ukrainë dhe askush nuk e di se si do të zhvillohet.

Albanian Post: Neni 10 i marrëveshjes fton palët që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, përshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, a besoni se Asociacioni do të jetë një pikë thyerjeje në këtë marrëveshje dhe a besoni se Kurti do ta ndryshojë apo do ta zbusë qëndrimin e tij për këtë çështje?

Marko Prelec: Nuk e kuptoj kundërshtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj Asociacionit/Bashkësisë. Sinqerisht, pak nga ato që thotë Qeveria kanë kuptim. Marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, të cilat skiconin atë që supozohej të ishte, janë krejtësisht të ndryshme nga Marrëveshja e Dejtonit. Ata thonë se nuk do të lejojnë një entitet serb, por Asociacioni është e qartë se nuk është ashtu, është një jo-entitet. Ata thonë se është kundër kushtetutës, por Gjykata Kushtetuese në fakt urdhëroi qeverinë të zbatojë marrëveshjen e Brukselit dhe të themelojë Asociacionin/Bashkësinë. E vetmja pjesë e kundërshtimit të qeverisë që ka kuptim për mua dhe me të cilën jam dakord është refuzimi i tyre për t’i lejuar Serbisë një zë de facto brenda institucioneve të Kosovës, një lloj kali i Trojës. Çfarëdo forme që “vetëmenaxhimi” serb në Kosovë merr, ajo nuk duhet ta përfshijë këtë. Por, ironia këtu është se marrëveshja e Brukselit tashmë i dha Vuçiç’it atë rol, pra Beogradi morri nën kontroll skenën politike serbe të Kosovës duke krijuar Listën Serbe. Ky ishte çmimi që Qeveria e Kosovës dhe partnerët e saj ndërkombëtarë ranë dakord të paguanin në këmbim të mbështetjes së Beogradit për integrimin e serbëve të veriut të Kosovës. Kosova ende po e paguan atë çmim.

Albanian Post: Korrigjimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është elaboruar si një alternativë e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, çfarë mendoni për këtë çështje?

Marko Prelec: Mendoj se është një lojë që kërkon dy lojtarë të gatshëm dhe është e qartë se Qeveria e Kosovës nuk është aspak e interesuar në të. Në një moment Beogradi dukej se ishte e interesuar, nuk jam i sigurt se është ende. Pra, nuk është një ide realiste në këtë pikë dhe nuk duhet të ndiqet. Thënë kështu, duhet t’u lihet palëve. Nëse në një të ardhme Beogradi dhe Prishtina bien dakord të ndryshojnë kufirin e tyre, ky është vendimi i tyre si vende sovrane dhe asnjë aktor i jashtëm, as BE-ja apo ndonjë nga shtetet anëtare të saj, nuk duhet të ndërhyjnë.

Albanian Post: Më 18 mars Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç do të takohen në Maqedoninë e Veriut për të negociuar për planin e zbatimit të Marrëveshjes të dakordësuar tashmë në Bruksel më 27 shkurt? Çfarë prisni nga ky takim? A e nënshkruajnë palët Marrëveshjen?

Marko Prelec: Sinqerisht, nuk e di se çfarë të pres. Presioni ndaj tyre është shumë i fortë. E kam fjalën për presionin nga Evropa dhe nga Shtetet e Bashkuara. Por, unë mendoj se mund të shkojë në çdo mënyrë. Njëri ose ndoshta të dy mund të konkludojnë në fund të ditës se më mirë do të jetë të pranojnë goditjet diplomatike dhe të presin për atë që shpresojnë se do të ishte një marrëveshje më e mirë nesër. Ose ndoshta ata të dy do të përpiqen, por në fund nuk do të arrijnë të bien dakord për kalendarin e zbatimit, për të cilin bëhet fjalë ne Aneks. Ose do të bien dakord dhe madje do të nënshkruajnë diçka, por do të jetë shumë e paqartë për të hyrë në fuqi dhe do të ndajnë fatin e Marrëveshjes së Brukselit. Ose ata do ta bëjnë vërtet atë dhe do të hedhin një hap të madh drejt përfundimit të marrëdhënies së tyre armiqësore dhe do të nisin rrugën drejt nëse jo miqësisë, atëherë të paktën një periudhe jetese krah për krah si fqinjë. Kjo do të ishte një gjë e madhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore