Sport

Chelsea vendos çmimin e Ziyech, Milan-i pritet të përfitojë


Hakim Ziyech me shumë gjasë pritet të largohet nga skuadra e Chelsea-t gjatë kësaj vere.

Mesfushori maroken nuk bën pjesë në planet e trajnerit të Chelsea-t, Thoms Tuchel, andaj londinezët tashmë e kanë vënë në listën e transferimeve.

Sipas asaj që raportojnë mediat në Angli, blutë e Londrës i kanë vendosur çmimin 29-vjeçarit dhe thuhet se mund ta lirojnë për 10 milionë euro, pavarësisht se tri vite më parë e patën blerë për katërfishin e kësaj shume.

Kjo pasi që Ziyech merr një pagë prej 7 milionë euro në sezon dhe drejtuesit e Chelsea-t dëshirojnë të lirohen më herët nga ai, pasi kontrata mes palëve zgjat deri në verën e vitit 2025.

Nga kjo situatë, pritet të përfitojë klubi i Milan-it, të cilët prej kohësh janë të interesuar për ish-futbollistin e Ajax-it.

Milan-i më parë kërkoi huazimin e tij, por tani ata mund ta bëjnë të tyrin lojtarin duke paguar 10 milionë euro.

Sigurisht që paga do të jetë një problem për kampionët e Italisë, por ata pritet të hyjnë në negociata me futbollistin.

Plani fillestar i kuqezinjve është transferimi i Charles De Ketelaere nga Club Brugge, por tani ata kanë edhe një plan B për Ziyech.

Kujtojmë që Ziyech është pjesë e Chelsea-t që nga vera e vitit 2020, kur u transferua nga Ajax-i për 40 milionë euro.

Ai deri më tani ka luajtur në 83 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e kaltër, prej të cilave ka shënuar 14 gola dhe ka dhuruar 10 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore