Sport

Champions League e së mërkurës, Barcelona dhe Manchester United në fokus


Zhvillohen edhe tetë ndeshje në kuadër të raundit të tretë në grupe në Champions League.

Pas një të marte ku Champions-i prodhoi shumë spektakël dhe gola, edhe dita e sotme pritet të ofrojë të njëjtën.

Dita fillon me një ndeshje shumë të interesante, jo në letër, por në realitet.

Barcelona që vjen pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para, medoemos duhet që të arrijë tre pikët sot në “Camp Nou”, përballë Dynamo Kyiv.

Katalunasit humbën dy ndeshjet e para përballë Bayern-it dhe Benfica-s duke pësuar gjashtë herë dhe duke mos goditur asnjëherë në drejtim të portës.

Për ata, mundësia që të këndellen vjen pikërisht përballë ukrainasve me dy ndeshjet që luhen njëra pas tjetres.

Ndeshja e katalunasve është një nga dy që luhen në orarin e hershëm, 18:45.

Salzburg-u pret në Austri, Wolfsburg-un.

Austriakët udhëheqin grupin G pas dy ndeshjesh, deri sa gjermanët kanë dy pikë nga dy ndeshje.

Më vonë, vijnë edhe gjashtë ndeshje tjera.

Në grupin e Barcelonës, Benfica pret në Portugali kampionët e Gjermanisë, Bayern Munich, me shpresën për të arritur një tjetër rezultat pozitiv.

Bavarezët pas dy ndeshjesh kanë dy fitore, dhe një tjetër sot praktikisht do të siguronte kualifikimin për në fazën tjetër.

Në grupin G, Lille kërkon të këndellet pas humbjes nga Salzburg, ku presin Sevilla-n në Francë.

Spanjollët në anën tjetër kërkojnë të gjejnë fitoren e parë pas dy barazimesh në dy ndeshjet e para.

Grupi F:

Grupi F sjell edhe ndeshjen kryesore të natës, atë të “Old Trafford” mes Manchester United dhe italianëve të Atalanta-s.

Djajtë e kuq arritën fitoren në minutat e fundit përballë Villarreal-it dhe kërkojnë që sonte me një fitore të konfirmohen si skuadra kryesore e grupit.

Atalanta në anën tjetër udhëheq grupin, dhe kërkon që për herë të tretë radhazi në të tretën pjesëmarrje në Champions, ta sigurojnë kualifikimin nga grupet.

Në Zvicër, Young Boys që befasuan United-in në ndeshjen hapëse, presin Villarreal-in që medoemos duhet të arrijë fitoren nëse dëshiron të shpresojë për raundin tjetër.

Grupi G:

Kampionët e Evropës, Chelsea, kërkojnë rikthimin te fitorja pas humbjes minimale që pësuan në ndeshjen kundër Juventus-it.

Në “Stamford Bridge”, ata presin Malmo-n, e cila ka zero pikë deri tani dhe konsiderohet skuadra “autsajdere” në grup.

Ndeshja tjetër luhet në Rusi, mes Zenit-it dhe Juventus-it.

Juventus-i kërkon fitoren e gjashtë radhazi në të gjitha garat, fitore kjo që praktikisht do t’ia siguronte kualifikimin.

Të gjitha gjashtë ndeshjet fillojnë në orarin e zakonshëm, 21:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore