Lajme

Çështja e targave, Bislimi e Petkoviç takohen më 13 maj


Ilustrim: Besnik Bislimi, Miroslav Lajçak dhe Petar Petkoviç

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një njoftimi në rrjetin e tij social në Twitter, ka bërë të ditur se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, janë pajtuar të takohen në Bruksel, më 13 maj për të diskutuar për çështjen e targave, pasi marrëveshja e përhershme e cila duhej të arrihej më 21 prill, nuk u nënshkrua.

“Më vjen mirë të njoftoj se pas konsultimeve me dy kryenegociatorët dje dhe sot, ne ramë dakord të vazhdojmë diskutimet tona për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për çështjen e targave në Bruksel më 13 maj”, ka shkruar Lajçak në rrjetin e tij social në Twitter.

Të enjten e 21 prillit, Kosova dhe Serbia nuk arritën të dakordoheshin për teknikalitetet lidhur me nënshkrimin e një marrëveshjeje të përhershme për çështjen e targave dhe rrjedhimisht palët fajësuan njëri tjetrin për qasje jo-konsktruktive.

Ishte Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri dhe njëherit kryenegociatori i Kosovës në bisedime me Serbinë, i pari ai i cili njoftoi për mos-arritjen e një marrëveshjeje që do të zgjidhte problemin e targave njëherë e përgjithmonë.

“Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draft-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit”, tha Bislimi para mediave pas takimit.

Menjëherë pas tij u deklarua edhe Petar Petkoviç, kryenegociatori i palës serbe, i cili dha lajmin se pas mos-arritjes së marrëveshjes ndërmjet dy vendeve, marrëveshja e përkohshme për targat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës mbetet në fuqi deri në gjetjen e një zgjidhje të përhershme.

“Këtë e konfirmuan edhe BE-ja edhe zoti Lajçak. Kjo do të thotë se derisa të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme në nivel të lartë, regjimi i afisheve do të vazhdojë”, u tha Petkoviç gazetarëve pas takimeve.

Ai madje në mënyrë të prerë deklaroi se “pala serbe ka vepruar në mënyrë konstruktive dhe të përgjegjshme gjatë bisedimeve për këtë temë”.

I fundit që u deklarua pas përfundimit të takimit trepalësh në Bruskel për çështjen e targave, ishte i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ftoi palët që të takohen sërish për të gjetur një gjuhë të përbashkët në ditët në vijim.

Ndonëse afati i fundit për arritjen e një marrëveshjeje të përhershme për çështjen e targave ndonëse kishte skaduar më 21 prill, regjimi me stikersat vazhdojë të implementohet një ditë më pas, në pikë kalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore