Sport

Calhanoglu drejt Inter-it, të martën do të kryhen testet mjekësore


Futbollisti i skuadrës së Milan-it, Hakan Calhanoglu, si duket, më në fund ka vendosur për të ardhmen e tij.

Ai nuk do të vazhdojë kontratën e tij me Milan-in, e cila i skadon më 30 qershor, si dhe tashmë ka vendosur të tradhtojë kuqezinjtë për të nënshkruar me rivalët e përbetuar të qytetit, Inter-in.

Sipas gazetarit të njohur italian, Fabrizio Romano, Hakan Calhanoglu pritet këtë të martë t’i kryej testet mjekësore te klubi i Inter-it, të cilët do të nënshkruajë një kontratë tre-vjeçare.

Mesfushori 27-vjeçar, kishte kërkuar një pagë prej 5 milionë euro në sezon, për të vijuar bashkëpunimin me Milan-in, të cilët nuk i ofruan turkut më shumë se katër, përfshirë këtu edhe bonuset.

Nga kjo mosmarrëveshje financiare nga ana e klubit dhe futbollistit, më së miri përfituan skuadra e Inter-it, duke i ofruar pagën që ai kërkonte, të ndihmuar edhe nga fakti që futbollisti është i lirë dhe nuk kanë nevojë të shpenzojnë për blerjen e kartonit të tij.

Hakan Calhanoglu është pjesë e skuadrës së Milan-it që nga viti 2017, me të cilët ka regjistruar 172 paraqitje duke shënuar 32 gola në të gjitha garat.

Derisa, kujtojmë që ai mbylli Kampionatin Evropian me kombëtaren e tij turke, me një paraqitje dëshpëruese, të cilët pësuan tri humbje në grupe në po aq ndeshje.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore