Përballje

Boston Celtics kualifikohet në finalen e madhe të NBA, mposhtin në ndeshjen e shtatë Miami Heat


Finalja e Konferencës së Lindjes në NBA vërtetë dhuroi spektakël, ku u desh që të zhvillohen shtatë ndeshje (maksimumi) për t’u përcaktuar ekipi fitues që do të shkojë në finalen e madhe.

Skuadra e Boston Celtics arriti që të kualifikohet në finalen e madhe, teksa pas shtatë super përballjeve, triumfoi 4:3 në serinë e ndeshjeve ndaj Miami Heat.

Në duelin e fundit mes tyre të zhvilluar në “FTX Arena” të Majamit, Celtics kanë triumfuar me katër pikë epërsi 96:100.

Mysafirët arritën që ta krijojnë një epërsi të thellë që në çerekun e parë (17:32) dhe më pas menaxhuan mirë atë duke mos rrezikuar për asnjë moment fitoren.

Çereku i dytë i takoi Miam-it me rezultat 32:23, megjithatë në vazhdim të lojës, basketbollistët e Boston-it u treguan më efikas, në fund për të rrëmbyer fitoren me vetëm katër pikë epërsi.

Jayson Tatum ishte më efikasi në këtë përballje për Celtics me 26 pikë, 10 kërcime e gjashtë asistime, derisa edhe Jaylen Brown dhe Marcus Smart kontribuuan me nga 26 pikë.

Kurse te skuadra e Miam-it u dallua Jimmy Butler me 35 pikë e nëntë kërcime dhe Bam Adebayo shtoi 25 pikë, 11 kërcime e katër asistime.

Në finalen e madhe të NBA-së, Celtics do të përballen me Golden State Warriors, të cilët eliminuan Dallas Mavericks me serinë e ndeshjeve prej 4:1.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore