Shqipëria

Borrell vlerëson harmonizimin e Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së


Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, me anë të një statusi në median sociale Twitter, ka vlerësuar harmonizimin e Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së.

Borrell për këtë ka falënderuar ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Në shkrimin e tij, përfaqësuesi i lartë i BE-së vë theksin te veprimet që Shqipëria ka marrë ndaj pushtimit të Rusisë në Ukrainë.

Ai shkruan se “që nga dita e parë e pushtimit, Shqipëria ka mbrojtur rendin ndërkombëtar si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Takimi i Xhaçkës me Borrell-in

Pak më parë, Xhaçka është takuar me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Josep Borrell, ku ka diskutuar një sërë çështjesh, mes të cilave më e rëndësishmja është ajo e integrimit të rajonit dhe mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, pavarësisht kohëve shumë të vështira që po kalon kontinenti.

Ministrja i ka shprehur zyrtarit të lartë shqetësimet mbi përballjen me krizën aktuale dhe masat e shtuara për sigurinë evropiane.

Procesi i integrimit të rajonit, sipas saj, duhet të përshpejtohet dhe Ballkani, nuk duhet lënë jashtë vëmendjeje, përtej arsyes se themeli kryesor i diskutimeve në Evropë momentalisht është lufta në Ukrainë.

Me këtë fakt ka rënë dakord edhe vetë Borrell dhe ka siguruar se angazhimi i BE-së do të tregohet në disa rrugë e mënyra, për ta bërë rajonin pjesë të zgjidhjeve të qëndrueshme.

 

Një pikë tjetër diskutimesh ka qenë edhe kriza e shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë.

Të dy palët u pajtuan mbi faktin se duhet forcim i unitetit në këto ditë. Mbi të gjitha, duhet një veprim vendimtar për ndalimin e mjeteve që ushqejnë luftën, gjë që është e një rëndësie parësore.

Përfaqësuesi i Lartë vlerësoi po ashtu aksionin diplomatik të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, linjëzimin e plotë me qëndrimet e BE-së, masat kufizuese në praktikë dhe gadishmërinë për të pritur qytetarët e zhvendosur nga Ukraina për shkak të agresionit.

Së bashku me SHBA-të, Shqipëria është bashkëpenëmbajtëse e kauzës ukrainase në Këshillin e Sigurimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore