Sport

Bojkoti nuk bën punë, racizëm ndaj Sterling-ut


Sulmuesi i Manchester City-t dhe kombëtares angleze, Raheem Sterling, është përballur me abuzime raciste në rrjetet sociale.

Kjo vjen vetëm dy ditë pas bojkotit katërditor të futbollit anglez, pikërisht kundër abuzimeve online.

Një mbikëqyrës i Facebook-ut, i cili ka në pronësi Instagram-in, tha që ka fshirë komentin, duke marrë masa ndaj personit përgjegjës.

Facebook-i shtoi që abuzimet, drejtuar Sterling-ut, janë të papranueshme.

“Si pjesë e punës sonë në këtë hapësirë, së shpejti do të sjellim mjete të reja që do të ndihmojnë në shmangien e abuzimeve nga njerëzit e panjohur”.

“Asnjë gjë nuk mund ta bëjë realitet këtë iniciativë brenda natës, por jemi të bashkuar dhe të motivuar që të ndalim këtë fenomen, duke shpëtuar të gjithë nga abuzimet”, shkruante në komunikimin zyrtar të Facebook.

A po e humb futbolli luftën kundër racizmit?

Dy tifozë të Manchester City-t janë pezulluar nga ndeshjet e futbollit për pesë vite pas komenteve raciste kundrejt Sterling-ut në janar të 2020-ës.

Chelsea, po ashtu, ka dënuar një tifoz për jetë pas komenteve raciste pikërisht ndaj Sterling-ut, në dhjetor të vitit 2018.

Dy vite më parë, disa futbollistë morën pjesë në kampanjën “mjaft”, duke bojkotuar rrjetet sociale për 24 orë.

Javën e fundit erdhi një bojkot katërditor i rrjeteve sociale me iniciativë nga Premier League.

Të gjitha këto nuk po duken të mjaftueshme dhe shumë futbollistë vazhdojnë të jenë viktimë e këtyre abuzimeve.

Deri më tani, duket se futbolli po e humb luftën kundër racizmit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore