Kosova

Bogujevci: Shqipëria dëmtoi veten që s’dënoi gjenocidin në Srebrenicë – është gabim i dyanshëm


Saranda Bogujevci.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci konsideron se një imazh i keq është krijuar për Shqipërinë pasi rrëzoi rezolutën që dënon gjenocidin në Srebrenicë të Bosnjës.

“Është e gabueshme si proces se si ka vijuar. S’mundet një rezolutë kaq e ndjeshme të trajtohet siç është bërë. Është gabim i dyanshëm. Si shembull, në Kuvend të Kosovës kur kemi pasur rezoluta të tilla si ajo për gjenocidin në Kosovë, e atë për Srebrenicë dhe atë rreth agresionit në Ukrainë, përveç të tjerave, kur ka rezoluta të tilla është tepër e rëndësishme të krijohet unitet, të ulet, të diskutohet e të trajtohet si duhet”.

Ajo konsideron se për çështjet e ndjeshme duhet të ketë konsensus të plotë brenda Kuvendit.

“Përveç një deklarate, janë të rëndësishme përmbajtjet e faktet që qëndrojnë brenda. Sado që janë dokumente që s’detyrojnë vendimmarrje, kanë peshën e vet si deklarata të përbashkëta që nxirren prej Kuvendit. Kjo çka ka ndodhë në Shqipëri ka qenë dëm për Shqipërinë. Askush s’pyet kush e ka iniciuar, kush votoi pro e kush kundër”.

Kuvendi i Shqipërisë.

“Në imazhin e botës është që s’është votuar një rezolutë nga Shqipëria, që dënon gjenocidin në Srebrenicë. Këtu fatkeqësisht kanë humb të gjithë. Kanë krijuar imazh jo të mirë për Shqipërinë në tërësi”.

Sipas saj, në trajtimin e këtyre çështjeve duhet të ketë kujdes të shtuar.

“Duhet të ketë kujdes kur trajtohen këto tema të ndjeshme që të ketë trajtim me dinjitet. Më vjen keq kur i shoh kolegët nga të dyja anët për betejë në temën kaq të ndjeshme”, deklaroi ajo në KTV.

“Lojë e ulët”, e cilësoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, propozimin e projekt-rezolutës “Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë”, e cila u pasua me rrëzimin e saj nga shumica parlamentare në seancën e së enjtes së 12 majit.

Propozim-rezoluta në Kuvendin e Shqipërisë u rrëzua të enjten, në mes të përplasjeve të ashpra të pushtetit me opozitën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore