Kosova

Bislimi: Asociacioni temë, vetëm pasi Serbia t’i zbatojë marrëveshjet


“Me asnjë fjali të vetme nuk është përmendur asociacioni”, nga pala kosovare në Bruksel, ka deklaruar zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Beslimi, në lidhje me atë çka është thënë për Asociacionin në takimin e fundit të mbajtur në Bruksel më gjashtë dhe shtatë korrik në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së.

Bislimi ka detajuar këtë takim duke treguar se kosovarët ishin të parët që u takuan me përfaqësues të BE-së, të martën, i cili ka zgjatur për rreth 6 orë e gjysmë dhe më shumë se një orë vetëm me Lajçak. Në këtë takim Bislimi thotë se ka “identifikuar 11 marrëveshje në të cilat Serbia nuk i ka përmbushur detyrimet e saja. Me asnjë fjali të vetme nuk është përmendur asociacioni. E vetmja çështje ku qëndrimi ynë dhe i BE nuk ka qenë i njëjtë kishte të bënte me tabelat KS”, shkruan zëvendëskryeministri i parë, në llogarinë e tij në Facebook.

Sipas Bislimit takimi i palës serbe me përfaqësues serb të dialogut, ka ndodhur një ditë më vonë, të mërkurën dhe ka zgjatur afërsisht tre orë. Ku pala serbe

“ka ngritur 5 tema ku ka pretenduar që pala kosovare nuk i ka përmbushur obligimet e saj”, shpjegon ai.

Po të njëjtën ditë është mbajtur takimi trepalësh në mes të Kosovës, Serbisë dhe BE-së, i cili sipas Bislimit ka nisur në ora 13 e 30 minuta dhe ka zgjatur për tre orë e 20 minuta.

“Pala jonë i ka shtruar sërish vërejtjet tona dhe pas nesh pala serbe ka ngritur 5 shqetësimet e saj, natyrisht me fokus kryesor tek asociacioni. Në përgjigjen time ndaj ‘shqetësimeve’ të ekipit serb, kam adresuar edhe asociacionin” ka shkruar Bislimi.

Në këtë takim Besnik Bislimi thotë të ketë deklaruar se Serbia nuk ka kredibilitet moral të kërkoj nga Kosova implementimin e asociacionit, për aq kohë sa nuk ka implementuar asnjë marrëveshje të arritur paraprakisht, pa parë përfitimin e Serbisë.

“Pastaj i kam radhitur të gjitha strukturat ilegale paralele të Serbisë në Kosovë si në politikë, siguri, arsim, shëndetësi, ekonomi dhe financa, dhe kam vërtetuar që me kohë Serbia jo që ka punuar në shuarjen e tyre, por i ka fuqizuar të njëjtat, përfshirë vendimet për emërime të nënshkruara nga individë kyç si presidenti, kryeministri apo kryetari i parlamentit serb, dhe problemet me transferin ilegal të parave për financim të tyre”.

“Kam përmendur ndërmarrjet që operojnë ilegalisht në Kosovë, si dhe kryetarët e disa komunave të cilët në të njëjtën kohë kanë buruar nga zgjedhjet lokale në Kosovë dhe financohen nga buxheti i Kosovës dhe janë edhe të emëruar si kryetarë të ‘institucioneve të përkohshme’ të Serbisë në Kosovë, ka shkruar ndër të tjera Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, në këtë takim, ka potencuar se këto struktura paralele Serbia i ka ngritur me qëllim që ti legalizoj përmes asociacionit.

“Po ashtu kam shtuar se vetëm atëherë kur në Kosovë të mos funksionojë asnjë strukturë paralele serbe, kur nuk do ketë financim ilegal nga Serbia dhe kur askush në Evropë të mos e kontestojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, mund të ulemi dhe diskutojmë seriozisht për modalitetet më të përshtatshme për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të minoriteteve”.

Dhe krejt kjo për Bislimin do të ndodhë nëse edhe minoritetet e konsiderojnë të nevojshme. Pasi që sipas tij, pas hedhjes poshtë të asociacionit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, asnjë serb i Kosovës nuk ka protestuar, përveç Beogradit zyrtar.

Ndërkaq, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës i ka reguar zëvendëskryeministrit Bislimi, duke thënë se “Raportimi për dialogun me Serbinë nuk do të duhej të kufizohej në “raportim” nëpër rrjete sociale. Kuvendi i Kosovës është vendi ku së pari duhet raportuar e ofruar llogari!”

KDI-ja përmes  një letre publike i ishte drejtuar Kryministrit Kurti për transparencë rreth procesit të dialogut me Serbinë.

Në takimin e së mërkurës Kosovën e përfaqësoi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ndërkaq Serbinë, drejtori i të ashtuquajturës zyre për Kosovën, Petar Petkoviç.

Takimi ndërmjet dy delegacioneve u ndërmjetësua t nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak.

Me të arritur në Bruksel të martën, Petkoviç, ka thënë se “nëse do të dëshironim që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të jetë një OJQ do ta formonim vetë atë”.

Ndërkaq, të martën gjatë ditës, Bislimi ishte takuar me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun.

Në një postim në llogarinë e tij zyrtare të Tëitter, Lajçak, është shprehur se me zëvendëskryeministrin kosovar ka biseduar rreth normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se në këto bisedime “gjithçka është politike, asgjë nuk është teknike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore