Lajme

Biserko: Radikalizimi i serbëve në Kosovë mbart potencialin për konflikt – Serbia ruan atmosferën e një lufte të papërfunduar


Sonja Biserko

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, në një intervistë për portalin “Autonomija”, ka konsideruar se radikalizimi i komunitetit serb në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë nga ana e Serbisë, mbart potencialin për hapjen e një fronti të dytë në Evropë, pas agresionit të paprovokuar rus ndaj Ukrainës.

“Duke pasur parasysh infiltrimin e Rusisë në Serbi dhe Republikën Srpska, spekulime të tilla janë realiste, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë. Interesi i Rusisë është të demonstrojë dobësinë dhe pavendosmërinë e Perëndimit dhe NATO-s”, ka thënë Biserko, ndërsa ka kërkuar “reagim vendimtar” ndaj Serbisë.

“Deri më tani kemi pasur paralajmërime të shumta nga Perëndimi, por ende nuk ka asnjë reagim vendimtar ndaj Beogradit. Fakti është se Serbia po e pengon konsolidimin e vendeve fqinje dhe se përmes kontrollit të komuniteteve serbe në ato vende po e pengon integrimin e tyre në ato shoqëri”, ka shtuar Biserko.

Gruaja që dokumentoi krimet e kryefashistëve serbë – Sllobodan Millosheviç dhe Vojisllav Sheshel – në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1990-1999, theksoi se Serbia i ka caktuar vetes “rolin e një lidereje rajonale”, ndërsa duke e projektuar veten “fuqia më e madhe ushtarake”, ajo ruan tensionet dhe atmosferën e një lufte të papërfunduar.

“Fatkeqësisht, vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë shteruar potencialin e tyre të brendshëm për ndryshim dhe për këtë arsye është vendimtare se si do ta trajtojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës rajonin gjatë vitit të ardhshëm”, ka theksuar Biserko.

Ajo ndër të tjera ka nënvizuar se as Bashkimi Evropian nuk ka treguar vullnetin apo aftësinë për të mobilizuar qytetarët serbë për të ardhmen evropiane. Përkundrazi, ka potencuar ajo, pavendosmëria dhe mosbindësia e saj çuan në zhgënjim dhe kjo është arsyeja pse mbështetja për integrimin evropian është kaq e ulët në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore