Lajme

Biden takon Putin-in në një vilë zvicerane


Pas pesë vitesh, që nga takimi i tyre i fundit në 2016, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, do të përballet me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Takimi i të mërkurës së 16 qershorit mes dy udhëheqësve do të mbahet brenda një vile zvicerane të shekullit XVIII. Ajo është e vendosur përgjatë një liqeni, në mes të Parc de la Grange në Gjenevë.

Joe Biden do të bëhet presidenti i pestë që ulet në bisedime me Putin-in.

Udhëheqësit janë “dakordësuar” se në këto kohë, marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Rusisë gjenden në një “pikë të ulët”.

Pasi quajti Putin-in një “vrasës”, Biden tha të hënën e 14 qershorit për ABC News se udhëheqësi rus është “i zgjuar” dhe “i fortë”.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë ka publikuar në Twitter të dhënat dhe detajet nga takimit i 16 qershorit në Gjenevë. Ata cilësojnë se në takim do të jenë pjesëmarrës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Pse po takohen Putin dhe Biden?

Megjithëse të dy udhëheqësit janë takuar më parë, Biden do të përballet për herë të parë me “kundërshtarin” që kur u zgjodh president.

Gjatë një telefonate me Putin-in në muajin prill, Biden ishte ai që propozoi takimin. Kjo përballje do të shërbejë si një provë e madhe për presidentin e ri, i cili ka një njohje të mirë me udhëheqësin rus.

Në javët e fundit, sulmet e “ransomware” në SHBA kanë qenë të lidhur me hacker-at rusë. Ka zemërim edhe kundër burgosjes së liderit rus të opozitës, Alexei Navalny.

Përpara samitit, Shtëpia e Bardhë përshtati mesazhin e saj për të theksuar se takimi po zhvillohej për shkak të mosmarrëveshjeve me Rusinë, jo përkundër tyre.

“Kjo nuk është një garë se kush mund të bëjë më mirë përpara një konference shtypi ose të përpiqet të turpërojë njëri-tjetrin. Kjo është për t’u qartësuar se cilat janë kushtet për të pasur një marrëdhënie më të mirë me Rusinë”, tha Biden gjatë një konference shtypi.

Detajet e takimit

Bisedimet e tyre pritet të zgjasin katër deri në pesë orë. Marrëveshjet për takimin janë përshtatur me kujdes dhe janë negociuar fuqishëm nga të dyja palët.

Putin-i dhe shoqëruesit e tij do të mbërrijnë të parët në vendin e samitit. Më pas vijnë Biden dhe ekipi i tij. Presidenti zviceran, Guy Parmelin, do të përshëndesë të dy udhëheqësit.

Biden dhe Putini, së pari, do të zhvillojnë një takim relativisht privat, bashkangjitur nga Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov. Bisedimet do të zgjerohen më pas, duke përfshirë pesë ndihmës për secilën palë.

Pas përfundimit të takimit, Putin është planifikuar të mbajë një konferencë shtypi i vetëm, pasuar nga Biden. Shtëpia e Bardhë vendosi kundër një konference të përbashkët shtypi.

SHBA-të nuk duan të duket sikur po lartësojnë Putin-in në ndonjë moment.

Deklaratat para takimit

Zëdhënësi i Presidentit Rus, Vladimir Putin, paralajmëroi se bisedimet e Putin-it me Presidentin e SHBA-ve, Joe Biden, “nuk do të jenë të lehta” ose nuk ka të ngjarë të bëjnë ndonjë përparim.

Zëdhënësi i Putin-it, Dmitry Peskov, tha disa orë para takimit Rusi-SHBA. se temat në agjendë “janë kryesisht problematike”.

“Ne kemi shumë çështje të neglizhuara prej kohësh, të cilat duhet të zgjidhen. Kjo është arsyeja pse Presidenti Putin po mbërrin me një qëndrim për të ngritur pyetje të sinqerta dhe në mënyrë konstruktive dhe të përpiqet të gjejë zgjidhje”, tha Peskov.

“Jo, kjo ditë nuk mund të bëhet historike dhe ne nuk duhet të presim ndonjë përparim. Situata është shumë e vështirë në marrëdhëniet ruso-amerikane”, vazhdoi ai.

“Sidoqoftë, fakti që të dy presidentët ranë dakord të takohen dhe më në fund të fillojnë të flasin hapur për problemet është tashmë një arritje. Mund të themi se pa filluar ende, samiti tashmë ka një rezultat pozitiv, por nuk duhet të presim përparime”.

Peskov tha se çështjet dypalëshe që Rusia dëshiron të diskutojë përfshijnë stabilitetin strategjik, kontrollin e armëve, bashkëpunimin në konfliktet rajonale, bashkëpunimin mbi pandeminë dhe ndryshimin e klimës.

Deklaratat e Putin-it

“Ne duhet të përpiqemi të gjejmë një mënyrë për t’i rregulluar marrëdhëniet. Ato janë në pikën e tyre më të ulët”, tha Putini në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburg-ut.

Problemi kryesor është se ish-rivali i Luftës së Ftohtë i Moskës “dëshiron të mbajë prapa zhvillimin tonë dhe nuk hezitojnë ta thonë publikisht”, shtoi udhëheqësi rus.

Presidenti rus hodhi poshtë kritikat për sulme kundër kritikëve në vendin e tij, duke thënë se demonstruesit që sulmuan Capitol-in e SHBA-ve, më 6 janar, po protestonin për zgjedhjen e Biden-it dhe kishin kërkesa politike, por po përballen me akuza penale.

“Ky është standard i dyfishtë, ne duhet ta heqim qafe atë”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore