Lajme

Biden mendon se Putin do të mësyj në Ukrainë


“Vladimir Putin do të futet në Ukrainë, por nuk dëshiron një gjendje të plotë lufte”.

Ka qenë ky paralajmërimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, gjatë një konference për shtyp.

Biden theksoi se nëse homologu i tij rus e bën këtë do të përballet me një “çmim serioz për t’u paguar”.

Moska – si gjithmonë – mohon planifikimin e një sulmi apo pushtimi, por ka vendosur forcat e saj rreth Ukrainës.

Vlerësohet të ketë rreth 100 mijë trupa pranë këtyre kufijve.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë më vonë lëshuan një deklaratë duke sqaruar pozicionin e SHBA-ve, pasi disa gazetarë në konferencën për shtyp pyetën Biden nëse “SHBA-të do të lejonin një inkursion të vogël në Ukrainë”.

“Nëse ndonjë forcë ushtarake ruse lëviz përtej kufirit ukrainas, ky është një pushtim i rinovuar dhe do të përballet me një përgjigje të shpejtë, të ashpër dhe të bashkuar nga Shtetet e Bashkuara”, shkruhej në deklaratë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden

Qeveria ruse ka bërë një sërë kërkesash për Qeveritë perëndimore, duke përfshirë atë që Ukraina nuk duhet të bashkohet kurrë me NATO-n dhe se aktivitetet ushtarake të aleancës mbrojtëse duhet të kufizohen në shtetet anëtare, përfshirë Poloninë.

Bisedimet midis Perëndimit dhe Rusisë javën e kaluar nuk arritën një përparim, me disa nga kërkesat e Moskës që u refuzuan.

Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014, pas përmbysjes së një qeverie pro-ruse atje.

Ajo ka mbështetur rebelët pro-rusë që kontrollojnë pjesë të Ukrainës lindore në një luftë të përgjakshme me forcat qeveritare.

Ekziston frika se konflikti, i cili ka marrë të paktën 13 mijë jetë dhe ka bërë që të paktën dy milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, mund të rindizet, me ndërhyrjen e hapur të ushtrisë ruse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore