Lajme

Biden fton edhe Kosovën në Samitin për Demokraci


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e Samitit për Demokraci që organizohet nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka treguar se kjo ftesë i është bërë nga vetë presidenti amerikan.

“Falënderoj Presidentin Biden për ftesën në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtëpia e Bardhë si dhe vlerësimin për partneritetin e ofruar nga Kosova për të punuar drejt ndërtimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut, të cilat ia mundësojnë secilit qytetarë ta përmbush potencialin e vet”.

“Pas takimeve produktive të javës së shkuar në Washington, në të cilat jam njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, jam e nderuar ta pranoj ftesën nga Presidenti Biden”, ka shkruar ajo.

Ftesa e Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden, drejt Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci

Derisa Osmani ka theksuar se Kosova është shembull i ndritur i përpjekjeve të vazhdueshme për liri e demokraci, ajo deklaroi se si e tillë është model për rajonin.

“Kosova do ta ndajë përvojën e saj të veçantë në ndërtimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, në partneritet të jashtëzakonshëm me miqtë tanë ndërkombëtar – ku rol prijatarë kanë pasur SHBA-të”, shtoi Osmani.

“Jam e lumtur që në emër të Kosovës do t`i prezantoj të arriturat dhe sfidat që i kemi, si dhe do të angazhohemi bashkërisht që gjatë 12- muajve të ardhshëm ta zbatojmë një plan ambicioz për fuqizimin e mëtejmë të demokracisë sonë të re në mënyrë që qytetarët tanë t`i ndjejnë përfitimet e një udhëheqjeje demokratike të bazuar në sundim të ligjit, të drejta të njeriut dhe gjithëpërfshirje shoqërore”.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë po vijonte planifikimin e saj për samitin virtual, disa organizata jo qeveritare nga Kosova, kanë kërkuar nga SHBA-të, që të shqyrtojnë thirrjen e Kosovës për të qenë pjesëmarrëse në Samitin për Demokraci.

Kjo kërkesë është shtruar përmes një letre të dërguar nga përfaqësuesit e shoqërisë civile drejt Përfaqësuesit Special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe Koordinatores për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Shanthi Kalathil.

Në këtë letër të siguruar nga Albanian Post, janë dhënë arsyet se pse Kosova do të duhej të ishte pjesë e kësaj iniciative.

“Jemi të vetëdijshëm për kontekstin delikat të sigurisë në Ballkan, që prodhon ndarje të thella etnike dhe shpesh paqëndrueshmëri. Duke pasur parasysh përparimin e vazhdueshëm që Kosova ka bërë gjatë viteve për të ndërtuar demokraci, por edhe raportet e posaçme mes popullit të Kosovës dhe të SHBA-ve, ne besojmë se Kosova meriton të jetë pjesë e kësaj iniciative strategjike dhe do të përfitonte nga e njëjta”, thuhet në letër.

Letra e organizatave joqeveritare nga Kosova drejt autoriteteve amerikane.

Ndërkaq, një listë e zbuluar nga POLITICO dëshmonte mungesën e Kosovës, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës mes të ftuarve.

Në të kundërt, Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut gjenden në listën e zbardhur në orët e para të 5 nëntorit.

Ftesat për Samitin virtual do të shkojnë për krerët e shteteve anembanë botës. Mes tyre përfshihen edhe liderët e shteteve me demokraci të cenueshme.

Samiti për Demokraci

Se ekzistonte një mundësi për ftesë në këtë samit, për Albanian Post e thoshte edhe eksperti amerikan, Alon Ben Meir.

Duke pasur parasysh afrinë e Presidentit të SHBA-së, Joe Biden me Kosovën, departamenti i shtetit mund të shqyrtojë ende ftesën e Kosovës për të marrë pjesë.

“Thënë kështu, lista e plotë e qeverive të ftuara nuk është bërë publike, dhe ka një shans të vogël që vende të tjera të mund të ftohen ende, sepse pjesa më e madhe e agjendës së Samitit është ende provë”, deklaroi eksperti Ben Meir.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore