Lajme

Pse s’u ftua Kosova në Samitin e Biden? Flet për Albanian Post, Alon Ben Meir


Eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben Meir.

Ftesa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci, nuk i është dërguar edhe Kosovës. Kjo për arsye se, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka vendosur dialogun me Serbinë si prioritet kryesor të tij.

Megjithatë, ekziston ende mundësia që Kosova të jetë pjesë e këtij Samiti.

Kështu ka spjeguar për Albanian Post, eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben Meir.

Alon Ben Meir, ekspert amerikan për Ballkanin Perëndimor

“Edhe pse Kurti në qeverisjen e tij është fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe autoritarizmit si dhe avancimin e të drejtave të njeriut, që po këto çështje janë temë edhe në Samitin e Demokracisë, fakti se ai e vendosi përballjen me Serbinë si numër katër në agjendën e tij, s’është mirëpritur nga Washingtoni”, ka thënë Ben Meir.

Kurti, beson ai, është më mirë të ngrit çështjen se pse Kosova nuk është ftuar.

Duke pasur parasysh afrinë e Presidentit të SHBA-së, Joe Biden me Kosovën, departamenti i shtetit mund të shqyrtojë ende ftesën e Kosovës për të marrë pjesë.

“Thënë kështu, lista e plotë e qeverive të ftuara nuk është bërë publike, dhe ka një shans të vogël që vende të tjera të mund të ftohen ende, sepse pjesa më e madhe e agjendës së Samitit është ende provë”, deklaroi eksperti Ben Meir.

Samiti i Demokracisë – pa Kosovën, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinë

Në listën e publikuar jo zyrtarisht nga gazeta amerikane “Politico”, nga vendet e Ballkanit Perëndimor në Samit përveç Kosovës nuk është ftuar as Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Sipas Politico, ideja e Samitit lidhet me kërkesat zyrtare të administratës Biden, për angazhimet që SHBA mund të kërkonte nga vendet e ndryshme të ftuara në mbledhje.

Ai dokument përfshin një sërë angazhimesh të mundshme që bien nën tre temat kryesore të samitit: Luftimi i Korrupsionit, Luftimi i Autoritarizmit dhe Avancimi i Drejtave të Njeriut.

Andaj, sipas Ben Meir, “duket se administrata Biden nuk mendon se të tre vendet mund të përmbushin këto angazhime në këtë moment të caktuar”.

Pse s’u ftua Serbia dhe Bosnje e Hercegovina?

Eksperti amerikan, Ben Meir, theksoi arsyen e mos ftesës së Serbisë në këtë samit.

Sipas tij, Serbia nuk u ftua në Samit, sepse vazhdon të minojë pavarësinë e Kosovës, duke “u ngrohur” me Rusinë dhe shpeshherë duke shkelur të drejtat e njeriut, veçanërisht ndaj pakicave.

“Për më tepër, Serbia e ka kundërshtuar SHBA-në me refuzimin e saj për tu bërë fleksibil në diskutimin e saj fillestar me Kosovën. Një rast i tillë është mosgatishmëria e Serbisë për të dhënë llogari për afro një mijë e 700 shqiptarë kosovarë që janë ende të zhdukur dhe mund të jenë përgjithësisht të ekzekutuar nga Ushtria Serbe gjatë luftës”, është shprehur ai.

Ndërsa sa i përket Bosnjës, Ben Meir beson se “afërsia me Turqinë” mund të jetë arsyeja që e ka penalizuar Bosnjën për të mos u ftuar në këtë Samit.

Presidenti i Turqisë në mesin e problemit Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë

“Për më tepër, mosgatishmëria e qeverisë boshnjake për t’iu përmbajtur plotësisht normave demokratike dhe dështimi i saj për t’u marrë me efektivitet me korrupsionin e shtuar në vend, mund të ketë kontribuar gjithashtu në lënien jashtë Samitit Demokratik”.

Shoqëria civile kërkon shqyrtimin e thirrjes së Kosovës në Samitin për Demokraci

Ndërsa Shtëpia e Bardhë po vijon me planifikimin e saj për samitin virtual, disa organizata jo qeveritare nga Kosova, kanë kërkuar nga SHBA-të që të shqyrtojnë thirrjen e Kosovës për të qenë pjesëmarrëse në Samitin për Demokraci.

Kjo kërkesë është shtruar përmes një letre të dërguar nga përfaqësuesit e shoqërisë civile drejt Përfaqësuesit Special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe Koordinatores për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Shanthi Kalathil.

Në këtë letër të siguruar nga Albanian Post, janë dhënë arsyet se pse Kosova do të duhej të ishte pjesë e kësaj iniciative.

“Jemi të vetëdijshëm për kontekstin delikat të sigurisë në Ballkan, që prodhon ndarje të thella etnike dhe shpesh paqëndrueshmëri. Duke pasur parasysh përparimin e vazhdueshëm që Kosova ka bërë gjatë viteve për të ndërtuar demokraci, por edhe raportet e posaçme mes popullit të Kosovës dhe të SHBA-ve, ne besojmë se Kosova meriton të jetë pjesë e kësaj iniciative strategjike dhe do të përfitonte nga e njëjta”.

Letra e organizatave joqeveritare nga Kosova drejt autoriteteve amerikane.

“Ne besojmë fuqishëm që pjesëmarrja e Kosovës në samit do të ndihmonte në avancimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në shtetin tonë dhe do të fuqizonte përpjekjet tona për t’i mbajtur përgjegjëse institucionet. Prandaj, ne shpresojmë që Qeveria amerikane do të jetë e gatshme ta rishqyrtojë këtë vendim”, thuhet në letër.

Reagimi i Ambasadës amerikane në Kosovë

Arsyen e mos ftesës së Kosovës në Samit e ka dhënë edhe ambasada e SHBA-ve në Kosovë.

Ambasada amerikane ka thënë për mediat lokale në Kosovë se jo të gjithë partnerët kanë mundur të akomodohen në këtë iniciativë.

Ilustrim

“Qëllimi ka qenë që të bashkohet një grup rajonal dhe socio-ekonomik i vendeve dhe juridiksioneve, duke përfshirë demokracitë më të zhvilluara dhe ato në zhvillim me diversitet në popullsi, demografi dhe vendndodhje”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës.

Megjithatë, në përgjigje është thënë se SHBA-ja vazhdon të jetë e përkushtuar për të punuar me Kosovën në forumet tjera për të avancuar në forcim të demokracisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore