Kosova

Shoqëria civile kërkon shqyrtimin e thirrjes së Kosovës në Samitin për Demokraci


Ilustrim

Ndërsa Shtëpia e Bardhë po vijon me planifikimin e saj për samitin virtual, disa organizata jo qeveritare nga Kosova, kanë kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të shqyrtojnë thirrjen e Kosovës për të qenë pjesëmarrëse në Samitin për Demokraci.

Kjo kërkesë është shtruar përmes një letre të dërguar nga përfaqësuesit e shoqërisë civile drejt Përfaqësuesit Special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe Koordinatores për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Shanthi Kalathil.

Në këtë letër të siguruar nga Albanian Post, janë dhënë arsyet se pse Kosova do të duhej të ishte pjesë e kësaj iniciative.

“Jemi të vetëdijshëm për kontekstin delikat të sigurisë në Ballkan, që prodhon ndarje të thella etnike dhe shpesh paqëndrueshmëri. Duke pasur parasysh përparimin e vazhdueshëm që Kosova ka bërë gjatë viteve për të ndërtuar demokraci, por edhe raportet e posaçme mes popullit të Kosovës dhe të SHBA-ve, ne besojmë se Kosova meriton të jetë pjesë e kësaj iniciative strategjike dhe do të përfitonte nga e njëjta”, thuhet në letër.

Letra e organizatave joqeveritare nga Kosova drejt autoriteteve amerikane.

Sipas organizatave, theksohet se Kosova është një prej shteteve në rajon që është e shqetësuar për ndikimin e Kinës dhe Rusisë.

“Në disa raste ndajmë zemërimin që SHBA-ja ka me elitat politike të Kosovës, megjithatë ne nuk arrijmë të shohim ndonjë dallim në raportet SHBA-Kosovë që janë thelbësisht kondratiktore, që do të bënte që Kosova të meritonte përjashtimin nga kampi botëror pro-demokracisë”.

“Ne besojmë fuqishëm që pjesëmarrja e Kosovës në samit do të ndihmonte në avancimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në shtetin tonë dhe do të fuqizonte përpjekjet tona për t’i mbajtur përgjegjëse institucionet. Prandaj, ne shpresojmë që Qeveria amerikane do të jetë e gatshme ta rishqyrtojë këtë vendim”, thuhet në letër.

Nënshkruese të kësaj letre, dërguar zyrtarëve të lartë amerikanë, janë Grupi i Ballkanit për Politika, Forumi i Ballkanit, Demokracia Plus, Demokracia për Zhvillim, Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, Instituti GAP, Fondi për të Drejtën Humanitare, Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”.

Përveç tyre, pjesë ë nënshkrimit të letrës janë edhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Instituti Demokratik i Kosovës, Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, Rrjeti i Grave të Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja FOL, Organizata Çohu, Instituti i Prishtinës për Studime Politike, Sbunker, Inciativ dhe Donika Emini, anëtare e Grupit Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit.

Pjesa e dytë e dokumentit

Ndërkaq, një listë e zbuluar nga POLITICO dëshmon mungesën e Kosovës, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës mes të ftuarve.

Në të kundërt, Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut gjenden në listën e zbardhur në orët e para të 5 nëntorit.

Ftesat për Samitin virtual do të shkojnë për krerët e shteteve anembanë botës. Mes tyre përfshihen edhe liderët e shteteve me demokraci të cenueshme.

Samiti i Demokracisë – pa Kosovën

Arsyen e mos ftesës së Kosovës në Samit e ka dhënë edhe ambasada e SHBA-ve në Kosovë.

Ambasada amerikane ka thënë për mediat lokale në Kosovë se jo të gjithë partnerët kanë mundur të akomodohen në këtë iniciativë.

“Qëllimi ka qenë që të bashkohet një grup rajonal dhe socio-ekonomik i vendeve dhe juridiksioneve, duke përfshirë demokracitë më të zhvilluara dhe ato në zhvillim me diversitet në popullsi, demografi dhe vendndodhje”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës.

Ilustrim

Megjithatë, në përgjigje është thënë se SHBA-ja vazhdon të jetë e përkushtuar për të punuar me Kosovën në forumet tjera për të avancuar në forcim të demokracisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore