Lajme

Bërnabiç e lumtur me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë


Kryeministrja aktuale dhe mandatarja për përbërjen e qeverisë së re të Serbisë, Ana Bërnabiç, ka thënë sot se Serbia është e  kënaqur për marrëveshjen e arritur me Kosovën për letërnjoftimet. Ajo shtoi se nga 1 shtatori po hyn në një periudhë të paqëndrueshmërisë, për shkak se nuk është arritur ende marrëveshja për targat.

“Si burrë shtetas serioz, Aleksandar Vuçiç tha se nuk është i kënaqur me marrëveshjen e vitit 2011, se nuk është në interesin më të mirë të Serbisë dhe serbëve në Kosovë, dhe ju si shtet serioz duhet të zbatoni marrëveshjet ndërkombëtare. Vuçiç arriti të krijojë situatën më të mirë të mundshme për serbët në Kosovë, t’i mbrojë ata dhe të mundësojë një jetë sa më normale dhe praninë e vazhdueshme të Serbisë në Kosovë”, tha Bërnabic në TV Prva.

Më tej ajo shtoi se, politikanët e Kosovës nuk ishin seriozë dhe nuk i intereson paqja, dhe se deri më 31 tetor duhet të përfundojë marrëveshja për targat.

“Nuk e dimë si do të sillen politikanët e Kosovës, në mënyrë të papërgjegjshme treguan se sa nuk i intereson paqja, deri më 31 tetor të gjithë duhet të ndërrojnë targat dhe të pranojnë targat që dëshiron Prishtina, por ne nuk heqim dorë nga targat KM”, tha Bërnabiç.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën në “BBC World Service”, ka theksuar se një nga faktorët që çoi në arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dokumenteve, është se më 1 gusht, Kosova ua lëshoi serbëve mbi dymijë dokumente me mbishkrimin “Republika e Kosovës”.

Sipas tij, lëshimi i dokumenteve për 19 orë, u krye pa incidente e ankesa.

Ai ka potencuar se reciprociteti që pritet të nisë nga shtatori për çështjen e targave ndaj qytetarëve serbë, nuk do të bëhet kundër serbëve.

“Po ne kemi pas bisedime ne Bruksel që nuk kanë qenë të lehta por rezultatet janë të kënaqshme sepse tani kemi reciprocitet mes Kosovës dhe Serbisë, në kuptimin e lëvizjes së lirë, për qytetarët e të dyja vendeve”.

“E falënderoj Borrellin, Lajçak dhe Escobar për punën e zellshme në Prishtinë dhe Beograd, në të njëjtën kohë i falënderoj qytetarët e Kosovës për mbështetjen”, tha Kurti.

Të shtunën, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, i cili bëri të ditur arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dokumenteve hyrëse-dalëse, thotë se është lumturuar që është gjetur një një zgjidhje evropianë që lehtëson udhëtimin mes Kosovës dhe Serbisë.

Borrell përmes një video në Twitter falënderoi Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për udhëheqjen në dialog.

“Jam i lumtur të njoftojë, se pas takimit në Bruksel dhe pas angazhimeve në Prishtinë e Beograd ditët e fundit, kemi arritur marrëveshje të lëvizjes së lirë mes presidentit Vuçiç dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Serbët e Kosovës e gjithë qytetarët do të jenë të gjendje të lëvizin lirshëm mes Kosovës dhe Serbisë duke përdorur ID-të. BE-ja ka marrë garanci nga kryeministri Kurti për këtë. Jam shumë i lumtur, që kemi gjetur zgjidhje evropiane, që ndihmon udhëtimin mes Kosovës e Serbisë”, tha Borrell.

“Është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës e Serbisë. Dua të falënderojë dy liderët që e bënë këtë. E veçanërisht presidentin Vuçiç që ka treguar përgjegjësi e lidership sot”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore