Lajme

Berat Lahu: Nuk jam i arrestuar dhe kurrë s’kam punuar në institucion shtetëror


Berat Lahu, udhëheqës i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës

“E para ju po flisni me mua tani dhe i bie që nuk jam i arrestuar”, ishte ndër të parat fjalë që Berat Lahu, udhëheqës i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, sapo u lajmërua në telefon, për Albanian Post.

“E dyta unë asnjëherë nuk kam punuar në institucione shtetërore, asnjëherë në jetën time. Rrjedhimisht s’kam mundur as të jap leje e asgjë të ngjashme të bëj”, vazhdoi më tej Lahu duke hedhur poshtë të gjitha dyshimet se ai ngarkohet me ndonjë vepër penale.

Në disa medie të shkruara në Kosovë, të mërkurën në mesditë u raportua se Berat Lahu, udhëheqës i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, është një nga 7 të arrestuarit e rastit “Brezovica”.

“Nuk ka të bëj asgjë me mua, kjo punë dhe as nuk më ka ardhur asnjë njoftim nga askush për asgjë”.

“Kjo është veç një lajm i rremë dhe nuk qëndron asgjë që thuhet”, tha Lahu duke demantuar lajmet e arrestimit të tij.

“Unë s’kam punuar në as një institucion shtetëror dhe nuk jam marrë asnjëherë as me ndërtimtari”, përfundoi ai.

Lahu është asamblisti më i votuar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, sipas zgjedhjeve lokale të 14 tetorit, 2021.

Ndryshe, “Brezovica” aksioni i Prokurorisë në koordinim me Policinë e Kosovës, ka vazhduar sot për të tretën herë me radhë, nën dyshimin për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkung Kombëtar ‘Sharri’, në zonën e Brezovicës.

“Deri më tani janë arrestuar shtatë persona, tre prej tyre ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronar të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit”, thuhet në komunikatë të Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

Sot janë bastisur 12 lokacione në katër qytete të Kosovës, në Ferizaj janë bastisur pesë lokacione, një në Lipjan, një në Skenderaj dhe pesë të tjera në Prishtinë.

Aksioni në fjalë është në koordinim edhe me Policinë e Kosovës, këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente edhe sot ka vazhduar hetime dhe veprime operacionale policore në tri rajone të Kosovës, që ndërlidhen me rastin ‘Brezovica’”, ka thënë Kelani për AP.

Që në dhjetori i vitit të kaluar, Policia e Kosovës se bashku me Prokurorinë Themelore të Ferizajt kanë nisur aksionin “Brezovica”, ku deri tani nën pranga janë vënë rreth 30 persona, përfshirë këtu ish kryetarin e komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliç, zyrtarë tjerë të kësaj komune, e po ashtu zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës,  nën pranga u vënë edhe pronar të kompanive të ndryshme ndërtimore.

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar se personat që janë arrestuar dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit.

Aksioni “Brezovica” kishte filluar më 21 dhjetor të vitit 2021, ku nga aksioni i parë rezultuan të arrestuar 10 persona.

Pas aksionit të 21 dhjetorit, Policia vazhdoi aksionin “Brezovicës” më datën 6 janar.

Gjatë operacionit të 6 janarit u arrestuan edhe 10 persona, ndërkaq në pranga si të dyshuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit kanë përfunduar ish-sekretari i Ministrisë së Ambientit, Arben Çitaku dhe Bedri Halimi, kryeinspektor në këtë ministri.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore