Lajme

Vazhdon aksioni “Brezovica”, bastisen 12 lokacione – arrestohen shtatë persona


Ilustrim

Të enjten e tre marsit, për të tretën herë me radhë është duke vazhduar aksioni i njohur si “Brezovica”, nën dyshimin për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e Brezovicës.

Këtë e ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Ferizaj përmes një komunikate për media, ku mes tjerash ka njofutar se janë bastisur 12 lokacione të ndryshme në katër qytete, përkatësisht, Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan.

“Deri më tani janë arrestuar shtatë persona, tre prej tyre ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronar të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit”, thuhet në komunikatë.

Aksioni në fjalë është në koordinim edhe me Policinë e Kosovës, këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente edhe sot ka vazhduar hetime dhe veprime operacionale policore në tri rajone të Kosovës, që ndërlidhen me rastin ‘Brezovica’”, ka thënë Kelani për AP.

Që në dhjetori i vitit të kaluar, Policia e Kosovës se bashku me Prokurorinë Themelore të Ferizajt kanë nisur aksionin “Brezovica”, ku deri tani nën pranga janë vënë rreth 30 persona, përfshirë këtu ish kryetarin e komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliç, zyrtarë tjerë të kësaj komune, e po ashtu zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës,  nën pranga u vënë edhe pronar të kompanive të ndryshme ndërtimore.

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar se personat që janë arrestuar dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit.

Aksioni “Brezovica” kishte filluar më 21 dhjetor të vitit 2021, ku nga aksioni i parë rezultuan të arrestuar 10 persona.

Pas aksionit të 21 dhjetorit, Policia vazhdoi aksionin “Brezovicës” më datën 6 janar.

Gjatë operacionit të 6 janarit u arrestuan edhe 10 persona, ndërkaq në pranga si të dyshuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit kanë përfunduar ish-sekretari i Ministrisë së Ambientit, Arben Çitaku dhe Bedri Halimi, kryeinspektor në këtë ministri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore