Shqipëria

BE: Kryetari i AMA-s të zgjidhet në legjislaturën e ardhshme


Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjes së kryetarit të Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA) në legjislaturën e ardhshme, të mërkurën e 7 korrikut..

“Autoritetet rregullatore të mediave duhet të punojnë në mënyrë të paanshme, transparente dhe me një legjitimitet të njohur nga të gjithë. Bashkimi Evropian ka rishikuar Direktivën e Shërbimeve të Mediave Audiovizive dhe ka paraqitur kërkesa të reja për pavarësi për rregullatorët kombëtarë të mediave”.

Sipas tyre, ky legjislacion është pjesë e acquis të BE-së të cilin Shqipëria duhet të përshtasë.

“Ne kemi ndjekur nga afër procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri dhe anëtarëve të bordit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). Është e rëndësishme që të mos ketë dyshime mbi natyrën jopartiake, profesionale dhe pluraliste të punës së AMA-s”.

Delegacioni thekson se kanë ftuar autoritetet të marrin në konsideratë të vazhdojnë me këtë emërim gjatë legjislaturës së ardhshme në shtator, së bashku me emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit, si mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar gjerësisht.

Sot është seanca e fundit e kësaj legjislature të Parlamentit. Në rendin e ditës është dhe zgjedhja e kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Ditën e djeshme, Partia Demokratike përmes deputetes së zgjedhur Albana Vokshi, ka akuzuar kryeministrin, Edi Rama lidhur me kreun e Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA) që pritet të votohet nesër në Kuvend.

Vokshi shkruan se është koha që Edi Rama të tërhiqet nga vendimi antidemokratik për të kapur AMA-n përmes zëdhënëses së tij.

“Votimi i parashikuar nesër në orët e fundit të këtij parlamenti ilegjitim është kthyer në shqetësim për Reporterët Pa Kufij. Në reagimin e sotëm, organizata kryesore në mbrojtje të gazetarëve vë në dukje se ky vendim po merret pa opozitën, përpara nisjes nga puna të parlamentit të ri”.

Sipas saj, është e papranueshme për standardet demokratike që zëdhënësja e Edi Ramës të emërohet në krye të një institucioni të pavarur.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore