Lajme

BE-ja favorizon Kosovën në dialog, thotë Lavrov


Sergey Lavrov

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, duke marrë për referencë propozimin e fundit të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, pretendoi se Bashkimi Evropian (BE) po ndryshon marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që serbët në Kosovë të mos kenë asnjë të drejtë.

Lavrov deklaroi në një konferencë për shtyp se dhjetë vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe nën ndërmjetësimin e BE-së, ky mekanizëm ende nuk është formuar, ndërsa akuzoi lidershipin evropian për favorizime ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Ata propozuan një ide vetën për ta kënaqur Kurtin, për ta kënaqur Prishtinën, për të ndryshuar marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në mënyrë që serbët në veri të Kosovës të mos kenë të drejta. BE-ja duhet të turpërohet – në vitin 2013 trumbetoi suksesin e zgjidhjes së problemit të Kosovës”, deklaroi kryediplomati rus.

“BE-ja po tërhiqet në favor të palës që është më afër tyre në këtë rast konkret. Dhe sigurisht që shqiptarët e Kosovës janë më afër tyre sepse janë betuar se duan të anëtarësohen në NATO, duan të hyjnë kudo dhe të ndjekin me besnikëri udhëzimet e BE-së”, shtoi ndër të tjera shefi i diplomacisë ruse, transmetoi rrjeti ballkanik i lajmeve “N1” të enjten.

Përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë edhe në vitin 2024, çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe pritet të rifutet ngadalë në agjendën e aktorëve të angazhuar në terren – një ndër prioritetet e bashkësisë së organizuar perëndimore në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore