Lajme

BE-ja e akuzon Lukashenko-n për sjellje ‘gangsteri’ mbi krizën e emigrantëve


Bashkimi Evropian e ka akuzuar regjimin e liderit autokratik të Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, për sjellje “gangsteri”.

Kjo për joshjen nga ana e tij të emigrantëve drejt Evropës nën “pretendime të rreme” dhe inkurajimin e tyre për të hyrë ilegalisht në bllok, tregon e përditshmja Financial Times.

Muajt e fundit, dhjetëra mijëra emigrantë janë përpjekur të hyjnë në BE përmes Bjellorusisë, çka zyrtarët besojnë se është orkestruar nga kryeqyteti bjellorus, Minsk, në hakmarrje ndaj mbështetjes së bllokut për opozitën e Bjellorusisë.

E nisur që prej muajve të verës, kriza shpërtheu të hënën pasi një grup prej qindra emigrantësh përdorën trungje pemësh, lopata dhe gërshërë për t’u përpjekur të futeshin me forcë në Poloni pranë fshatit kufitar Kuznica, ku u zmbrapsën nga forcat polake të sigurisë.

“Mënyra se si regjimi i Lukashenko-s po e kryen këtë operacion është shumë çnjerëzore, e papranueshme dhe në fakt e paligjshme”, ka thënë të martën zëdhënësi i Komisionit të BE-së, Peter Stano.

“Regjimi i Lukashenko-s ka filluar të ngjajë si një regjim gangster”, ka shtuar ai.

Financial Times tregon se Polonia ka vendosur mijëra trupa në kufirin e saj lindor për të përforcuar rojet kufitare dhe të martën në mëngjes mbylli pikën e kontrollit në Kuznica, një nga tre kalimet në Bjellorusi.

Ndërkaq, zyrtarët vlerësojnë midis tre mijë dhe katër mijë emigrantë që janë në kufi.

Kurse Lituania ka shpallur të martën një gjendje të jashtëzakonshme në kufirin e saj me Bjellorusinë për të parandaluar hyrjen e emigrantëve.

Nga ana tjetër, Varshava ka marrë mbështetje nga e gjithë BE-ja, me presidenten e komisionit Ursula von der Leyen, duke u drejtuar thirrje vendeve anëtare të vendosin sanksione të mëtejshme ndaj Lukashenko.

Horst Seehofer, ministri i Brendshëm i Gjermanisë, i ka kërkuar bllokut të ndihmojë Poloninë të përballet me rritjen e emigrantëve.

“Çka po ndodh është një kërcënim hibrid”, ka thënë Seehofer në një intervistë me gazetën gjermane Bild, duke shtuar se “duam migrim të kontrolluar në Evropë, jo migrim të organizuar politikisht”.

Gjithashtu zyrtarët e Komisionit po konsiderojnë vendosjen e sanksioneve ndaj linjave ajrore nga vende si Turqia dhe Rusia, për të cilat besojnë se janë të përfshira në “trafikimin e emigrantëve” drejt Bjellorusisë.

Megjithatë, Lukashenko u duk se u inkurajua nga mbështetja e homologut të tij rus, Vladimir Putin, pasi bisedoi me të në telefon të martën dhe dërgoi ministrin e tij të jashtëm për dy ditë bisedime në Moskë, tregon Financial Times.

Kjo mbështetje ruse ishte vendimtare për Lukashenko-n në shmangien e një vale të madhe protestash kundër rizgjedhjes së tij të dyshimtë verën e kaluar.

Në këmbim, Moska e ka shtyrë vendin të miratojë një sërë marrëveshjesh ekonomike që i lidhin të dy vendet më afër njëri-tjetrit, disa prej të cilave të dy presidentët i nënshkruan javën e kaluar.

Në një intervistë të transmetuar në median shtetërore bjelloruse, Lukashenko ka thënë se BE-ja po përpiqej të largonte vëmendjen nga problemet e brendshme duke fajësuar Bjellorusinë për krizën.

Ai ka sugjeruar se tensionet kufitare mund të jenë një prelud i konfliktit të plotë ushtarak.

Zëdhënësi i Kremlin-it, Dmitry Peskov, në shenjë të mbështetjes ruse, ka thënë se forcat bjelloruse po i trajtonin emigrantët “me shumë përgjegjësi” dhe ka pretenduar se kriza ishte një goditje nga politika ndërhyrëse perëndimore në Lindjen e Mesme.

Sergei Lavrov, ministri i Jashtëm rus, ka sugjeruar se BE-ja duhet t’i ofrojë ndihmë financiare Bjellorusisë për ta inkurajuar atë të ndalojë rritjen e emigrantëve, duke e krahasuar situatën me marrëveshjen e Brukselit me Turqinë gjatë krizës së emigrantëve të vitit 2015.

Ai ka shtuar edhe se Evropa kishte përgjegjësinë për të pranuar emigrantët.

“Ata nuk duan të qëndrojnë në Bjellorusi, duan të shkojnë në Evropë, po në atë Evropë që ka reklamuar dhe promovuar mënyrën e saj të jetesës për vite të tëra. Duhet të përgjigjeni për fjalët dhe veprat tuaja”, ka thënë Lavrov.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore