Lajme

BE: Dhuna në protestat në Serbi e papranueshme, hetoni parregullsitë zgjedhore


Flamujt e Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian ka thënë se e drejta ndërkombëtare për demonstrata paqësore në Serbi duhet të respektohet, por kanë theksuar se “dhuna nuk është zgjidhje” dhe “është e papranueshme”, derisa kanë thirrje përsëri që “të hetohen siç duhet pretendimet për parregullsi zgjedhore”.

Këto komente nga BE vijnë pas protestave që opozita serbe, përkatësisht koalicioni “Serbia kundër dhunës”, është duke i organizuar, kjo për të shprehur pakënaqësinë e tyre për shkak të parregullsive që janë hasur gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit në Serbi, e për të cilat është akuzuar Partia Progresive Serbe (SNS) – partia e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, e cila ka pushtetin që 10 vjet.

Pamje nga protestat e opozitës në Serbi.

“Veprimet e policisë duhet të jenë të përshtatshme dhe të drejtat themelore duhet të respektohen brenda shtetit të së drejtës. BE bën thirrje për paqe dhe dialog”, kanë thënë nga BE për “Zërin e Amerikës” të pyetur për trazirat në Beograd të dielën.

Autoritetet në Serbi kanë akuzuar vendet perëndimore për shkaktimin e këtyre trazirave pas zgjedhore, mirëpo nga Unioni nuk kanë preferuar që t’i përgjigjen kësaj çështje.

Ndryshe, misioni ndërkombëtar vëzhgues i udhëhequr nga Zyra e Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka deklaruar në një raport paraprak se zgjedhjet në Serbi u shënuan nga parregullsi të rënda në ditën e votimit, si dhe me kushte të padrejta zgjedhore në favor të autoriteteve serbe.

Nga ana tjetër, qeveria serbe, konkretisht Partia Progresive Serbe (SNS), ka pretenduar se nuk ka pasur parregullsi zgjedhore dhe refuzon t’i plotësojë kërkesat e opozitës dhe të një pjese të qytetarëve për ripërsëritjen e zgjedhjeve në Beograd.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore