Përballje

Basketboll: Xhiroja e fundit në Superligën e Kosovës do të jetë vendimtare për shumë skuadra


Këtë fundjavë do të zhvillohet xhiro e fundit në “Five Star” Superligën e Kosovës në Basketboll.

Ky edicion i basketbollit në vend, ishte një ndër më interesantet dhe më i barabartë në vitet e fundit.

Vendi i parë dhe vendi i fundit në tabelën e renditjes, ka dallim vetëm 10 pikë. Ende nuk është përcaktuar se kush do të jetë skuadra e dytë në renditje që siguron gjysmëfinalen e “play-off”-it, kush do të luajë në “play-out” dhe kush do të bie nga Superliga.

Ndeshja e parë që do të hapë xhiron e fundit në Superligë, është mes Ponte Prizerenit dhe Trepçës, e cila do të zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 17:00.

Prizrenasit që kanë siguruar vendin e parë do të përballen me mitrovicasit, që ndodhet në vendin e pestë me 38 pikë, aq sa ka edhe Bashkimi dhe një më shumë se Sigal Prishtina, që renditet e shtata.

Ndeshja më vendimtare e kësaj xhiro do të zhvillohet të shtunën nga ora 19:00, aty ku Sigal Prishtina do të pret Bashkimin.

Skuadra që fiton këtë ndeshje, do të siguron “Play-off”-in, ndërsa nëse prishtinasit humbin dhe Vëllaznimi e mund Pejën, atëherë “bardhekaltrit” do të përfundojnë në pozitën e fundit në tabelë.

Për Prishtinën kjo është ndeshja më e rëndësishme dhe më vendimtare në garat e rregullta, pasi rezultati i kësaj ndeshje, sjell për ata tre mundësi: mund të hyjë në “Play-off”, mund të luajë në “play-out” apo të bien në një rang më poshtë garash.

Ndeshja e parë e ditës së diele do të luhet mes Rahovecit dhe Golden Eagle Ylli me fillim nga ora 17:00.

Këto dy skuadra kanë grumbulluar nga 44 pikë, dhe do të jetë garë direkt për pozitën e dytë e cila siguron gjysmëfinalen e “Play-off”-it.

Sfida e fundit që mbyll sezonin e rregullt në “Five Star” Superligën e Kosovës, do të zhvillohet mes Pejës dhe Vëllaznimit.

Pejanët vijnë në këtë përballje pasi që kanë siguruar vendin e katërt dhe nuk mund të arrijnë vendin e tretë edhe në rast të fitores, derisa skuadra “kuqezi” nga Gjakova, është e fundit në tabelë dhe ende po shpreson për mbijetesë.

Dy skuadrat e para në renditje kualifikohen në gjysmëfinale, derisa vendi i tretë do të luajë me vendin e gjashtë në çerekfinale të “play-off”-it dhe vendi i katërt me të pestin.

Kurse vendi i shtatë do të luajë në “play-out” me finalistin e Ligës së Parë, kurse vendi i tetë bie në Ligën e Parë të basketbollit të Kosovës.

Ndeshjet e Javës së 28-të

E shtunë

17:00 Ponte Prizreni – Trepça

19:00 Sigal Prishtina – Bashkimi

E diel

17:00 Rahoveci – Golden Eagle Ylli

19:00 Peja – Vëllaznimi

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore