Përballje

Basketboll: Fundjavë me përballje interesante në Superligën e Kosovës


Në fundjavë do të zhvillohet xhiroja e 25-të në FIVE STAR Superligën e Kosovës në basketboll.

Takimi i parë do të zhvillohet ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Sigal Prishtinës, një duel shumë interesant.

Këto dy skuadra u takuan edhe në finale të Kupës së Kosovës, ku triumfoi Sigal Prishtina por, sa i përket Superligës, therandasit gjenden me një pozitë shumë më të mirë se bardhekaltërit.

Pas 24 xhirove, Ylli pozicionohet në vendin e dytë në tabelë me 39 pikë, ndërsa Prishtina gjendet në vendin e parafundit në tabelë me gjashtë pikë më pak.

Dueli tjetër interesant i ditës së shtunë, zhvillohet në Prizeren, aty ku Bashkimi e pret Pejën.

Këto dy skuadra kanë traditë në basketbollin e Kosovës, por në stinorin pranveror nuk kanë arritur rezultate aq të dëshirueshme.

Prizrenasit ndodhen në vendin e pestë me 35 pikë, ndërsa pejanët pozicionohen një vend më lartë, me një pikë më shumë se kundërshtarët e tyre në këtë ndeshje.

E diela gjithashtu pritet me përballje interesante në basketbollin e Kosovës.

Lideri i Superligës, Ponte Prizreni do të presë në shtëpi rivalët e Rahovecit.

Prizrenasit gjenden në vendin e parë më 41 pikë, kurse Vreshtarët janë në vendin e tretë me dy pikë më pak, andaj pritet një duel shumë interesant.

Përballja e fundit e xhiros së 25-të, por shumë e rëndësishme është në mes Trepçës dhe Vëllaznimit.

Mitrovicasit hyn në këtë duel pas fitores ndaj Yllit, kurse kuqezinjtë në duelin e fundit pësuan nga Bashkimi.

Xehetarët kanë grumbulluar 34 pikë dhe kanë treguar formë të lartë, sidomos në stinorin pranveror, ndërsa skuadra nga Gjakova renditet në vendin e fundit me 31 pikë.

FIVE STAR Superliga – Java 25

E shtunë

17:00 Golden Eagle Ylli – Sigal Prishtina

19:00 Bashkimi – Peja

E diel

17:00 Ponte Prizreni – Rahoveci

19:00 Trepça – Vëllaznimi

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore