Shqipëria

Bardhi padit sërish Xhaçkën në Kushtetuese


Kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, ka dorëzuar sërish një padi për ish-ministren dhe deputeten socialiste, Olta Xhaçka, në Gjykatën Kushtetuese.

Me kërkesë të 44 deputetëve opozitarë, Bardhi depozitoi sërish një kërkesë për papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës, lidhur me çështjen e një prone në bregdetin jugor, që është përftuar nga bashkëshorti i saj, Artan Gaci, me statusin e investitorit strategjik.

Por, nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme SPAK, ka sekuestruar gjithë sipërfaqen prej thuajse 11 mijë metrash katrorë dhe çështja është aktualisht në hetim.

Jorgo Goro mbetet në burg, vendos GJKKO

Nga ana tjetër, Kushtetuesja i është drejtuar më parë Kuvendit, duke kërkuar që mandati i Xhaçkës të kalojë përpara trupës kushtetuese për të gjykuar përputhshmërinë e mandatit të saj, ose heqjen e këtij mandati.

Në një fjalë pas dorëzimit të kërkesës, Bardhi argumentoi se nuk ka ndodhur kurrë që të hidhen në kosh me votë politike vendimet e Kushtetueses.

Këtu ai i referohet një votimi në Parlament, i cili nuk i hapi rrugë çuarjes së mandatit të Xhaçkës për gjykim në Kushtetuese.

Çfarë ndodhi në seancën e 11 prillit

Mandati i Olta Xhaçkës nuk do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim në themel.

Kështu është vendosur me votat e Parlamentit, ku deputetët socialistë e kanë “shpëtuar” kolegen e tyre, me 72 votat e tyre kundër.

Nga ana tjetër, 39 vota pro këtij projektvendimi kanë qenë nga opozita për dërgimin e Xhaçkës në Kushtetuese, por të pamjaftueshme për të dërguar mocionin lidhur me papajtueshmërinë e mandatit të saj në organin më të lartë ligjor në vend.

Vetë Xhaçka, ka mbajtur fjalën e saj në Kuvendin e Shqipërisë, duke mbrojtur kauzën e saj.

Xhaçka ka theksuar se familja e saj dhe bashkëshorti, Artan Gaçi nuk kanë përfituar asgjë, duke thënë se akuzat janë shpifje.

Ish-ministrja tha se kompania e Gaçit ka marrë statusin e investitorit strategjik njëjtë si shumë investitorë të tjerë, ndërsa tha se nuk ka pasur asnjë shkelje.

Ajo theksoi se Kuvendi s’ka çfarë të votojë sot, pasi Gjykata Kushtetuese e ka thënë se nuk është në konflikt interesi.

“Për t’i vënë kapakun, nga leckat e topit të opozitës diskutohet sikur do të votohet sot për të më mbajtur në këmbë apo jo. Çështjen time GJK e ka pushuar. Meqë në këtë absurditet, u arrit për shkak të akuzave të ngritur ndaj meje, dhe votimi sot lidhet me mandatin tim, nuk do komentoj dhe kolegët le të diskutojnë e të e vendosin të lirë”.

Ndër të tjera, ka pasur dhe akuza të drejtëpërdrejta për Gazment Bardhin.

“U bë një kohë shumë e gjatë…Përmbaje Gazin të lutem. U bë një kohë e gjatë shpifje, je një gënjeshtar i rëndomtë. Shpifje. U bë një kohë e gjatë që emri im lidhte me paligjshmëri dhe abuzim me mandatin e deputetes. Nuk jam përgjigjur, jam menduar të rri në këtë detyrë apo të iki, të merrem me politikë apo të dorëzoj mandatin dhe të shpëtoj nga ky linç, ku faktet janë interesa politike e mediatike. Jam menduar se ku kam gabuar për të mbajtur në kurriz këtë furi balte, as kam ushtruar influencën time për të përfituar asgjë nga ato që janë bërë fakte të kryera, as nuk kam përfituar asgjë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore