Përballje

Barcelona luan të enjteve nga muaji shkurt


Humbja e Barcelonës përballë Bayern Munich dhe fitorja e Benfica-s përballë Dynamo Kiev-it, do të thotë që klubi katalunas do të luajë në Europa League.

Për herë të dytë në këtë shekull, dhe për herë të parë pas 20 vitesh, katalunasit dështojnë të kualifikohen në raundin tjetër.

Atëherë, trajneri aktual, Xavi, po luante në mesfushë – kurse sonte, ai ishte i ulur në stol.

Spanjolli ishte e vetmja figurë që përjetoi të dy turpërimet nga afër.

Sonte, Barcelona nuk ishte as afër asaj që kërkohej, fitores në Munich.

Në këtë mënyrë, katalunasit vareshin nga Dynamo Kiev që të ndalte Benfica-n.

Mirëpo ukrainasit u ndalën shpejtë, me Benfica-n që shënoi dy gola dhe e barti presionin te Barcelona.

Me një skuadër jashtë forme, ishte pothuajse e pamundur që Barcelona të konkuronte me Bayern-in në formën e jetës.

Në pjesën e parë, bavarezët shënuan dy herë.

Fillimisht ishte Thomas Muller, e më pas Leroy Sane shënoi një predhë.

Gjatë pjesës së dytë, bavarezët qetësuan ndeshjen dhe e arritën të gjejnë rrjetën përsëri.

Në minutën e 62-të, Jamal Musiala arriti të dërgoj topin në rrjetë pas asistimit të Alphonso Davies, me një gol që ishte i përbërë tërësisht nga talentë premtues.

Në ndeshjen tjetër asgjë nuk ndryshoi, me Benfica-n që e qetë mbajti rezultatin 2-0.

Me 18 pikë, Bayern Munich udhëheq grupin, me tetë pikë Benfica kualifikohet si e dyta, me shtatë pikë Barcelona i drejtohet Europa League-s, kurse me një pikë Dynamo Kiev i mbyll garat në Evropë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore