Lajme

“Ballkani Perëndimor, zemra e BE-së që rreh”


“Ballkani Perëndimor nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë një periferi e mposhtur e lindjes. Ai është dhe do të jetë zemra e Bashkimit Evropian që rreh”.

Këtë mendim e ka ndarë nënkryetari i Parlamentit Evropian (PE), Fabio Massimo Castaldo, gjatë një seance plenare në PE.

Në një intervistë për “Observatorin Balcani e Caucaso transeuropa”, ai e ka sqaruar këtë qëndrim të qartë pro Ballkanit.

Sipas tij, zgjerimi i BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka pësuar shumë goditje vitet e fundit. Këtu, përfshihen edhe ato çaste kur mendoj se do të kishte hapa pozitivë.

Vetoja franceze, daneze dhe holandeze në vitin 2019 për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është një ndër këto goditje.

“Mendoj se ky ka qenë një nga çastet kur, besueshmëria e perspektivës evropiane për Ballkanin, ka qenë shumë pranë prekjes së fundit. Nëntë shtete u deshën për ta zgjidhur këtë situatë. Ndër to, Italia ishte në krye”, deklaroi Castaldo.

Për këtë, ai mendon se duhet të ketë një rikompensim të këtyre shteteve. Metodologjia e re e BE-së, e aplikuar mbi anëtarësimin – qasje e njëjtë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por gjithashtu edhe për Serbinë dhe Malin e Zi – mund të përfaqësojë një vlerë të shtuar për përshpejtimin e integrimit të rajonit.

Viti 2025, ndërkaq, nuk është më një hark kohor i besueshëm për anëtarësim. Kjo, edhe për shkak të shtyrjes kaq të gjatë për hapjen e negociatave. Vonesa është të paktën me tre vjet më shumë.

A ka Brukseli një plan B për Ballkanin?

“Nuk ka pse të ketë plan B për Ballkanin”, shton Castaldo. “Nuk ka pse të ketë një plan tjetër, përtej atij të anëtarësimit me të drejta të plota në BE”.

Kjo, sipas tij, jo vetëm sepse Evropa dhe Ballkani ndajnë të njëjtën histori, por edhe sepse ndajnë të njëjtin fat. Ky fat bazohet në resurset dhe vlerat e përbashkëta. Vendoset gjithashtu në planin e vendimmarrjeve të përbashkëta në interesin kolektiv.

Mbi ndikim rus, kinez dhe turk, Castaldo pranon se ngurtësia evropiane, mund të ketë qenë ndikuese në këtë faktor.

“Këto shtete e kanë zhvendosur agjendën e tyre tërësisht në Ballkan. Kështu, ato do të rrisin edhe influencën e tyre në rajon”.

Dinamikat fetare janë gjithashtu të rëndësishme në këtë aspekt.

“Nuk duhet harruar se kemi dy vende si Turqia dhe Rusia në këtë mes. Ato kanë qenë gjithnjë ndikuese në aspektin e përhapjes fetare të ortodoksisë apo myslimanizmit”.

Ndërsa, për sa i përket Kinës, ajo kërkon të krijojë një influencë ekonomike në rajon. Kjo, sipas tij, mund të jetë si “proaktive, ashtu edhe destruktive”.

Kjo e fundit mund të ndalet në përhapjen e “fake news” nga pala kineze në rajon. Për këtë, BE-ja, por në disa raste edhe NATO-ja apo SHBA-ja, duhet të shfaqin moralin e tyre.

Non-Papers

Një koment nuk është kursyer as për çështjen e non-papers – dokumentin e qarkulluar në media si ndryshues të kufijve në Ballkan me shkëmbim territoresh.

“Nuk ka asnjë konfirmim mbi këtë gjë deri sot. Por, nëse do të vërtetohej se ky dokument ekziston, do të viheshim përballë një kambane të madhe alarmi”.

Sipas tij, është një çështje që nuk mund të pranohet as nga vende si Bosnja dhe Hercegovina, kufijtë e të cilat fragmentizohen në bazë të etnicitetit dhe fesë.

“Fati i Ballkanit nuk mund të vendoset në tavolinën e askujt. Vetë popujt e rajonit duhet të përcaktojnë fatin e tyre”, argumenton Castaldo.

Një fat, të cilin një pjesë e mirë e rajonit, e sheh kah BE-së, në gjirin perëndimor të saj.

Një gji perëndimor që, sipas Castaldo-s, është i mangët pa vëllezërit përtej Adriatikut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore