Sport

Babai i Kvaratskhelia-s: Është ndjenjë e papërshkrueshme kur 60 mijë tifozë thërrasin mbiemrin tënd


Badri Kvaratskhelia, babai i yllit të Napolit, Khvicha Kvaratskhelia, ka folur për formën e mirë të djalit të tij në këtë fillim të kampionatit me skuadrën e Napolit.

Duke folur për “Imedi TV”, Kvaratskhelia diskutoi fillimin mbresëlënës të djalit të tij Khvicha dhe marrëdhëniet e tij me trajnerin Luciano Spalletti dhe skuadrën.

“Kur je në tribunat e stadiumit të Napolit dhe mbiemri yt thirret nga 60 mijë tifozë, është vërtetë një ndjenjë e papërshkrueshme”, theksoi Badri Kvaratskhelia.

Khvicha Kvaratskhelia me familjen e tij

“Sidomos kur bëhet fjalë për një futbollist që vjen nga liga gjeorgjiane. Unë kam qenë gjithmonë i bindur se Khvicha do të bënte mirë që në fillim. Nuk ka nevojë të flitet shumë për atë. Khvicha tashmë e ka dëshmuar në fushë”, shtoi gjeorgjiani.

“Khvicha shkon në stërvitje në orën 8 të mëngjesit. Rreth orës 14 ai kthehet dhe pushon. Ai kishte një ditë pushimi dhe atë e shfrytëzuam për të shkuar në shëtitje në qytet. Atij nuk i pëlqen të del shpesh jashtë”.

Khvicha Kvaratskhelia në kohën kur ishte pjesë e Dinamo Batumi

21-vjeçari ka kontratë me Napolin deri në verën e vitit 2027. Megjithatë, ai tani nuk fiton një pagë shumë të lartë, derisa babai i tij foli edhe rreth kësaj çështjeje.

“Askush nuk ka folur me ne për kontratën ende. Në këtë fazë, Khvicha as që e mendon këtë, ai mendon vetëm të luajë. Khvicha është i informuar për thashethemet e tregut, por kjo nuk e ndikon aspak”, tha mes tjerash babai i futbollistit që po mahnitë të gjithë.

21-vjeçari ka qenë një ndër surprizat më të mëdha të sezonit në Evropë. Në këto lojët e para të Napolit, ai ka bërë paraqitje tejet të mira.

Kvaratskhelia u transferua gjatë kësaj vere te klubi italian nga klubi gjeorgjian, Dinamo Batumi, për shumën e 10 milionë eurove.

Deri më tani gjeorgjiani ka shënuar shtatë gola dhe ka dhuruar tetë asistime në 15 ndeshje me fanellën e Napolit në Serie A dhe në Ligën e Kampionëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore