Sport

Arrestohet presidenti i Klubit të Benfica-s


Pasditen e të mërkurës autoritetet policore në Portugali kanë njoftuar se është arrestuar, Luis Filipe Vieira. Viera është i njohur në botën e futbollit, pasi është presidenti i Klubit të Benfica-s.

Viera, së bashku me shokun e tij biznesmen, Jose Antonio dos Santos-in janë arrestuar për veprat, mashtrim me taksat dhe pastrim parash.

Mediat portugeze, SIC dhe TVI raportojnë se Viera u arrestua për t’u dërguar përpara gjykatës, ku fillimisht do të dëshmojë dhe më pas do të mësojë masën që do të ndërmerret ndaj tij.

Në total Prokuroria Publike e Departamentit Qendror të Hetimit dhe Veprimit Penal në bashkëpunim me Policinë e Sigurisë Publike (PSP) kanë dhënë 45 urdhëra ndalimi për persona që kane lidhje me firmat ligjore, institucionet bankare, korporatat etj. Kërkimet do të zhvillohen në Lisbonë, Braga dhe Torres Vedras.

Deri më tani janë arrestuar katër persona, dy biznesmenë, një agjent sportiv dhe një menaxher sportiv.

Hetimet po zhvillohen në fshetësi, por ajo që dihet është se po hetohet për veprime të kryera nga viti 2014 dhe deri në momentet që po flitet.

Dyshohet se dëmi total që mund t’i jetë shkaktuar disa kompanive dhe vetë shtetit portugez, kalon shifrën e 100 milionë eurove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore