Lajme

Arrestohet një person për krime lufte në Prizren


Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një të dyshuar për krime lufte në qytetin e Prizrenit.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’ gjatë viteve 1998-1999 në rajonin e Prizrenit”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

Bëhet me dije se me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Po ashtu, policia ka njoftuar edhe për një arrestim tjetër në fshatin Dren të Zubin Potokut, por për arsye tjera, i arrestuari dyshohet për veprën penale “Nxitje e përçarje dhe mos durimit”.

“Njësia policore gjatë patrullimit ka ndaluar një veturë të cilën e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar. Gjatë legjitimimit njësia policore ka vërejtur se i dyshuari kishte të veshur një bluzë me mbishkrim përçarës dhe të urrejtjes, si dhe gjatë kontrollit në veturë është gjetur një thikë”, thuhet në raportin e policisë.

Njoftohet se bluza dhe thika janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore