Kosova

Arrestohen dy zyrtarët e Vetëvendosjes – Prokuroria: “U gjetën edhe 60 mijë euro kesh”


Ilustrim: Faruk Mujka, Hysen Muzliukaj dhe Albin Kurti

Prokuroria Speciale, ka konfirmuar se të premten janë kryer bastisje në dy lokacione të ndryshme më saktësisht në shtëpinë e kryeshefit ekzekutiv të Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci” dhe ish-nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Faruk Mujkës dhe atë të ish-drejtorit të Komunës së Mitrovicës gjatë mandatit të kryetarit Agim Bahtirit, aktualisht këshilltarin e ministrit të Bujqësisë, Faton Pecit, Hysen Muzliukajt.

“Nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka kryer bastisje në këto dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve”, thuhet në komunikatë për media.

Gjatë bastisjes në njërin nga lokacionet, siç tregon Prokuroria Speciale, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma prej 60 mijë euro.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se në maj të vitit 2022 ka pranuar informacione, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga dy persona, në atë kohë pjesë e strukturave udhëheqëse në komunën e Mitrovicës së Jugut”.

“Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa me datë 03.07.2023, ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore