Shqipëria

Arrestimet për Inceneratorët, Këlliçi: Drejtësi e re me peshqit e vegjël


“Drejtësi e re me peshqit e vegjël”.

Kjo ka qenë deklarata e deputetit të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, njëkohësisht ish-anëtar i Komisionit Hetimor për Inceneratorët, fill pas arrestimit të një sërë personash dhe zyrtarësh me urdhër të Prokurorisë së Posaçme për çështjen e incerimit.

Në një deklaratë për mediat Këlliçi u shpreh se arrestimi i ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka, dhe urdhërit të arrestimit të deputetit socialist Alqi Bllako, është vetëm fillimi.

“Shqiptarët nuk duhet të harrojnë se këta janë pikënisja e kësaj afere. Prangat duhet të tunden mbi Engjëll Agaçin, Arben Ahmetaj, Erjon Veliaj dhe mbi të gjitha regjisor dhe urdhëruesin, Edi Ramën”, theksoi Këlliçi në fjalën e tij.

Sa i takon Bllakos – SPAK i dërgoi Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për t’i dhënë autorizim për arrestimin e tij – Këlliçi bëri me dije se duhet “t’i hapet rrugë mbledhjes së këshillit të mandatave”.

“Dua të gjej rastin të përgëzoj edhe punën që është bërë në Komisionin Hetimor. Dua të përshëndes edhe bashkëpunimin me LSI-në. Sot shqiptarët kanë parë se janë lëshuar një seri urdhër arrestesh, por për shërbëtorët”, vijoi ai.

Sakaq kujtojmë se Këlliçi votoi kundër raportit të PD-së në parlament, sa i përket procesit të Komisionit Hetimor për Inceneratorët.

“Afera e inceneratorit na ka mësuar me fakte tronditëse, dhe ka thyer rekord botëror, pasi 17 procedurat janë bërë brenda një dite. Sot është momenti për të ngritur zërin”, e përmbylli ai.

Çfarë ndodhi? 

Më herët, SPAK lëshoi nëntë urdhër-arreste lidhur me hetimet e inceneratorëve.

Mes personave të arrestuar janë Pëllumb Abeshi, Azem Shatëri, Florjan Muçaj dhe Erjon Murataj.

Ndaj këtyre të fundit dyshohet kryerja e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

Ndërkaq, ndaj Sabina Cenamerit dhe Etleva Kondit është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Ato dyshohen për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

Sakaq, i pari i arrestuar për inceneratorë ka qenë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore