Shqipëria

Këlliçi për AP: Votova kundër raportit të PD-së për inceneratorët, m’u dorëzua pas fillimit të seancës plenare


Raporti i Partisë Demokratike (PD) për hetimin mbi inceneratorët, i dorëzuar nga kryetarja e këtij komisioni, Jorida Tabaku, u rrëzua me 84 vota kundër dhe 27 vota pro në seancën parlamentare të së enjtes së 10 marsit.

Mes atyre që votuan, sipas leximit të votave të publikuara nga Kuvendi, rezulton se kundër raportit të PD-së kanë votuar edhe deputetë të opozitës.

Ajo që binte në sy ishte vota kundër e Belind Këlliçit, i cili ishte pjesë e këtij Komisioni dhe mjaft aktiv me pyetjet për dëshmitarët.

Në një prononcim për Albanian Post, ai ka shpjeguar se nuk mund të votonte një raport, i cili i është bërë prezent dhe i ditur vetëm pasi filloi seanca parlamentare.

“Unë si anëtar Komisioni duhet ta kisha marrë paraprakisht këtë raport dhe të më ishte dhënë mundësia të jepja dhe opinionin tim. Askush nuk ma mundësoi këtë gjë, ndaj dhe vota ime ishte kundër”.

Nga ana tjetër, më 10 mars, Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancë plenare raportin e Partisë Socialiste për inceneratorët.

Komisioni Hetimor Parlamentar për inceneratorët mbajti mbledhjen e fundit të punimeve më 25 shkurt.

Komisioni Hetimor mbi inceneratorët

Ky Komision Hetimor u ngrit më 29 tetor 2021, pasi u miratua me një shumicë votash nga Kuvendi i Shqipërisë.

Në këtë mënyrë, Partia Socialiste pranoi kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e Komisionit Hetimor për hetimin e inceneratorëve.

Sipas PD-së, në çështjen e inceneratorëve, ka pasur shkelje në të gjitha procedurat.

Kështu, roli i këtij Komisioni do të ishte kontrolli i ligjshmërisë së veprimeve administrative dhe procedurës së ndjekur nga ana e organeve ekzekutive në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane në Tiranë, Elbasan dhe Fier.

Në kërkesën e PD-së u tha se Komisioni do të kishte si detyrë kontrollin e zbatimit të ligjeve nga ana e organeve publike në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane, si dhe verifikimin e pasojave ekonomike në buxhetin e shtetit shqiptar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore