Sport

Ardian Ismajli, ylli i heshtur


Ardjan Ismajli është pa diskutim një nga lojtarët më të mirë në Kombëtaren e Shqipërisë. Por, qendërmbrojtësi po kthehet në një lojtar kyç edhe te Spezia. 24-vjeçari ia ka dalë të ketë performanca të kënaqshme edhe kundër lojtarëve si Romelu Lukaku dhe Zlatan Ibrahimoviç-i.

Ismajli u transferua te Spezia në shtatorin e 2020-s nga kroatët e Hajduk Split-it, për shifrën e 2.5 milionë eurove dhe duket se deri më tani i ka justifikuar ato para që u shpenzuan për kartonin e tij.

Futbollisti nga Besiana ka një kontratë deri në 2023 me italianët. Në sezonin aktual ka 10 paraqitje në total, ku ka dhuruar dhe një asist.

Në ndeshjet që ka luajtur Ismajli është vlerësuar me nota të larta. Në përballjen e fundit me Milan-in, të fituar 2-0 nga Spezia, mbrojtësi u vlerësua me notën 6.8. Në sfidat e tjera është vlerësuar, përkatësisht kundër Sassuolo-s me notën 7.4, kundër Napoli-t me 7.1, kundër Hellas Verona-s me 6.5 dhe me notën 7 kundër Inter-it.

Sipas mediave nga përtej Adriatikut, për qendërmbrojtësin e Shqipërisë janë të interesuara Marseille dhe Borussia Dortmund-i, ndërsa së fundmi flitet edhe për një interesim nga Juventus-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore