Kosova

Apeli konfirmon aktakuzën ndaj ish-ministres Hoxha dhe zyrtareve të tjerë


Ish-ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha.

Gjykata e Apelit ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, si dhe shefit të prokurorimit të kësaj ministrie, Fitim Mustafa, e tre ish sekretarëve: Demush Shasha, Nuhi Osmani e Kushtrim Cukaj.

Të pandehurit akuzohen për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës zyrtare’, derisa në njoftimin e Apelit thuhet se mbrojtësve të tyre u janë refuzuar ankesat si të pabazuara.

“Prokurori i Apelit ka propozuar që ankesat e mbrojtësve të të pandehurve të refuzohen si të pabazuara dhe aktvendimi i ankimuar të vërtetohet”.

“Akuza për keqpërdorim të autoritetit zyrtar është e turpshme. Është e turpshme që prokuroria të bie në ndikimin e disa mediave”, kishte thënë ish-ministrja për Integrime Evropiane, Dhurata Hoxha, në një prononcim për Albanian Post, kur është pyetur për njoftimin se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për të.

Gjykata e Apelit.

Më 27 tetor, edhe Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj sajë dhe katër personave të tjerë.

Ndryshe, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestarë të mbajtur më 1 shtator të këtij viti.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa janë akuzuar se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

Kurse, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’.

Në aktakuzë thuhet se Hoxha në cilësinë e ministres së MIE-së, kishe tejkaluar kompetencat e saj me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore personit tjetër, respektivisht operatorëve ekonomik “Majorelle PR & Events” dhe “Madison Strategies LLC”.

Siç thuhet në aktin akuzues, Hoxha më 11 maj 2018 kishte kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MIE-së, Demush Shasha nisjen e procedurave të prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së”, duke përcaktuar procedurën që duhej aplikuar dhe emrin e “Majorelle PR & Events” me të cilin duhej lidhur kontrata.

Sipas aktakuzës, e njëjta e bëri këtë edhe pse e kishte ditur se sipas ligjit këto nuk ishin në kompetencë të ministrit, me ç’rast ata i kanë mundësuar këtij operatori lidhjen e kontratës në vlerë 180 mijë euro dhe si rrjedhojë edhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore