Lajme

Ambasadori i Francës në Beograd: Kosova duhet të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare, por OKB-ja nuk është në agjendë


Pierre Koshar

Ambasadori i Francës në Serbi, Pierre Koshar, në një intervistë për Radio Televizionin e Vojvodinës, ka thënë Kosova duhet të jetë pjesë e të gjitha institucioneve ndërkombëtare, porse çështja e anëtarësimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara aktualisht nuk është në agjendë.

Kështu konsideroi ambasadori francez, teksa ka shtuar se ekziston një momentum për përshpejtimin e integrimeve evropiane të Serbisë dhe se kjo është një mundësi që shteti serb duhet ta shfrytëzojë, porse fillimisht e njëjta duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.

Diplomati francez – megjithatë – ka thënë se priten sinjale të qarta nga Serbia, në atë se ka një vullnet të mirë për t’iu afruar Bashkimit Evropian, duke veçuar këtu procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, reformat në sundimin e ligjit dhe harmonizimin e politikës së jashtme me atë të BE-së.

E kur ka folur për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ai ka theksuar se hapja e rrugës së dy shteteve ballkanike drejt Bashkimit Evropian kalon përmes implementimit të  Marrëveshjes së Ohrit (18 mars), e cila, sipas tij, qartëson hapat dhe fazat e normalizimit të marrëdhënieve.

“Thelbi i dialogut, qëllimi i dialogut është të kalojë fazat specifike të rrugës drejt normalizimit, të dalim nga cikli i qarqeve të tensionit që po shohim sot dhe t’u mundësohet njerëzve të lëvizin lirshëm, të bëjnë tregti e biznes dhe të kenë mundësinë e arsimimit në të gjithë rajonin”, ka thënë Koshar.

Kur ka komentuar mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që Serbia e konsideron “vijë të kuqe”, diplomati francez ka deklaruar se fillimisht duhet të zgjidhen një numër çështjesh tjera, pastaj të vazhdohet me punën për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar.

“Pse të bëhen pyetje që nuk janë në agjendë sot. Kosova duhet të jetë në institucionet tjera dhe ne duhet të punojmë për këtë. Konteksti është i tillë që tani nuk është në rend dite çështja e hyrjes së Kosovës në OKB, le t’i zgjidhim çështjet para nesh, të mos iu referohemi vijave të kuqe, të cilat tani nuk janë në rend dite”, tha ai.

Koshar ka folur edhe për paralajmërimet për një varg “masash ndëshkuese” për Kosovën dhe Serbinë nëse të dy palët refuzojnë t’i ulin tensionet në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë dhe t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne insistojmë në domosdoshmërinë për të shkuar më tej, prandaj ëshë thënë se nëse palët nuk shkojnë në rrugën e shtensionimit dhe normalizimit, do të ketë pasoja, kjo i është thënë qartë edhe Prishtinës nga institucionet evropiane dhe disa vende të tjera”, tha Koshar.

Ndryshe, tensionet janë kthyer në pjesën veriore të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave në veri të vendit – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Serbët lokalë janë duke protestuar për çdo ditë që prej 29 majit në këto komuna të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë atje dhe prezencën e Policisë së Kosovës në objektet komunale.

Nga ana tjetër, rrëmbimi i tre policëve kosovarë në vijën kufitare në veri të Kosovës nga strukturat e sigurisë së Serbisë – të liruar më pas për t’u mbrojur në liri – kishte shtuar shtresa të reja në një atmosferë tashmë të njohur, por kësaj here me rrezikun e rrëshqitjes drejt skajeve të përshkallëzimit të mëtejmë dhe ngjitjen drejt esktremeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore