Shqipëria

Ambasada Amerikane: Marrëveshje donacioni në mbështetje të njësisë poligrafike të SHÇBA-së


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë përmes një statusi në Twitter, ka deklaruar mbështetjen e saj të vazhdueshme ndaj reformave legjislative, kësaj radhe për të nënshkruar një marrëveshje donacioni në mbështetje të njësisë poligrafike të SHÇBA-së (Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat).

Ndër të tjera ambasada thekson mbështetjen ndaj një shërbimi të fortë, të pavarur dhe efektiv të SHÇBA-së, “në punën e tij të rëndësishme për të siguruar integritetin dhe llogaridhënien e ligjit shqiptar”.

“Atasheu i Asistencës për Zbatimin e Ligjit Ron Hendren u takua dje me Drejtorin e Përgjithshëm të SHÇBA-së, Muhamet Rrumbullaku për të diskutuar mbi reformat e rëndësishme legjislative në vazhdim dhe për të nënshkruar një marrëveshje donacioni në mbështetje të njësisë poligrafike të SHÇBA”, nënvizon statusi i Ambasadës së SHBA-ve.

Më herët, Ben Rockwell, Drejtori i Çështjeve Ndërkombëtare të Drogës dhe Zbatimit të Ligjit, u takua me Kryetarin në Detyrë të Gjykatës së Lartë, Gjyqtarin Sokol Sadushi për të biseduar mbi mbështetjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi në Shqipëri, përfshirë dhe detyrën e themelore të pakësimit të çështjeve të prapambetura të Gjykatës së Lartë dhe parandalimin e përsëritjes së tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore