Lajme

“Akt barbar” dhe “i papranueshëm” sulmi ndaj kameramanit në Veri – opozita kërkon që të garantohet siguri


Deputetët: Blerta Deli dhe Sibel Halimi.

“Të papranueshëm” e “akt barbar”, e kanë quajtur opozita sulmin ndaj kameramanit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Bardh Bekteshi.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka kërkuar masa të shpejta të mekanizmave ndërkombëtar të sigurisë.

“I papranueshëm akti barbar i sulmit të ekipit të RTK-së dhe  kameramanit Bardhi Bekteshi, nga kriminelë të maskuar e të infiltruar në masë, në veri të vendit”.

“Në këtë situatë të rëndë për paqen dhe sigurinë, kërkohen veprime racionale e të matura të politikës dhe masa të shpejta e proporcionale të mekanizmave të zbatimit të ligjit, si dhe veprime të menjëhershme të mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë”.

Edhe deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka kërkuar nga KFOR-i, Qeveria e Kosovës që të garantohet siguri dhe liri e mediave në pjesën veriore.

“I dhimbshëm, i papranueshëm dhe kriminal sulmi ndaj kameramanit të RTK-së, Bardh Bekteshi sot nga huliganët në Leposaviç. Ftoj Qeverinë, KFOR-in dhe të gjitha institucionet tjera që të garantojnë sigurinë dhe lirinë e mediave në pjesën veriore – para se të ndodhë më e keqja. E tmerrshme!”, ka shkruar Halimi.

Të premten në komunën e Leposaviqit është sulmuar fizikisht kameramani i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Bardh Bekteshi, i cili ka pësuar lëndime të rënda edhe në kokë edhe në trup, por përveç kësaj atij i është thyer edhe kamera.

Për këtë ka reaguar ashpër edhe Asociacioni i Gazetarëve i Kosovës.

“Ekipet mediale nga Prishtina kanë qenë sot cak i një sulmi brutal derisa po kryenin punën e tyre në Leposaviq. Kameramani i RTK-së, Bardh Bekteshi, është sulmuar fizikisht siç shihet në videon shqetësuese të dërguar në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, nga ekipet në terren”.

“Përveç sulmit fizik, Bekteshit i është thyer edhe kamera e xhirimit”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Ndërsa, në një deklaratë për AGK-në, gazetarja Venera Xhoxhaj, ka treguar se protestuesit i kanë gjuajtur me gurë ekipet e mediave, Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV.

“Na kanë gjuajtur me gurë, disa kolegë derisa kanë qenë duke u larguar, janë rrëzuar, dhe kameramanit tonë, Bardh Bekteshi, e kanë shtyrë duke e rrëzuar pastaj edhe  sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup”.

Nga AGK-ja i është bërë thirrje urgjente Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në këtë komunë, që t’u ofrojnë siguri gazetarëve dhe kameramanëve të cilët janë duke qëndruar në atë komunë.

Teksa e kanë dënuar ashpër këtë sulm duke thënë se për të gjitha këto sulme që kanë ndodhur në veri të vendit, do të informohen organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.

Për dallim nga situata e dhjetorit kur ishin vendosur barrikada në Veri për 17 ditë e ku u sulmuan 13 punëtorë të medias, gjendja e ditëve të fundit tregon edhe për një realitet akoma më të ashpër për raportimin e gazetarëve nga Veriu.

Për vetëm katër ditë në këtë pjesë u shënuan 20 sulme ndaj mediave sërish nga persona të maskuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore