Lajme

AGK-ja reagon për pengimin e punës së gazetarëve nga mbrojtja e Kurtit dhe Rizvanollit: Qeveria të mundësojë kushte elementare të punës për gazetarët


Mbrojtësit e kryeministrit Albin Kurti pengojnë punën e gazetarëve.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka shprehur shqetësimin pas denoncimit të gazetarit Kosovë Gjoci të Euronews Albania për pengimin në punë nga mbrojtja e afërt e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Përmes një komunikate për media nga AGK-ja është thënë se janë informuar se dy individë nga mbrojtja e kanë penguar në punë, “njëri e ka shtyrë duke ia dëmtuar pajisjet, kurse tjetri e ka kërcënuar me fjalët “këqyrem mirë në sy e mbajmë në mend”.

“Sipas gazetarit Gjoci, kryeministri Kurti e ka parë skenën dhe nuk ka reaguar, që e bën rastin edhe më të rëndë. Ngjashëm, para disa ditësh gazetarja e Periskopit, Besarta Hoti, u pengua në përpjekjet për të bërë pyetje për Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli”, thuhet në reagimin e tyre.

Nga AGK-ja këto veprime janë konsideruar të papranueshme dhe i kanë bërë thirrje Qeverisë dhe dikastereve të saj të mundësojnë kushte elementare të punës për gazetarët kur raportojnë dhe kërkojnë përgjigje nga anëtarë të ekzekutivit.

Në raportin e 12 janarit nga Human Rights Watch tek pjesa e Kosovës është trajtuar edhe çështja e keqtrajtimit të gazetarëve në Kosovë, sulmet dhe kërcënimet ndaj tyre dhe, siç u tha, “reagimi i dobët i organeve të shtetit”.

Në periudhën janar-gusht 2022 theksohet se nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, janë regjistruar 22 raste të sulmeve, katër raste më shumë të regjistruara se në vitin 2021 për ngacmimet dhe kërcënime ndaj gazetarëve dhe organeve të medias.

Gjatë raportit është përmendur edhe gjuha ndaj gazetarëve e bashkëshortit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, i cili njëherësh është edhe zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Prindon Sadriu, si dhe shefit të kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Luan Dalipi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore