Sport

Agjenti i Radu-s shfajëson portierin e tij për gabimin fatal


Portieri i dytë i skuadrës së Inter-it, Andrei Radu, mori vendin e titullarit në ndeshjen që zikaltrit e humbën ndaj Bologna-s me shifrat 2:1, pasi që Samir Handanovic ishte i dëmtuar.

Mirëpo, paraqitja e portierit Radu, theu zemrat e të gjithë interistëve, teksa 24 vjeçari bëri një gabim katastrofal te goli i humbjes.

Ai bëri një “asistim” te futbollisti kundërshtar, Nicola Sansone, i cili e kishte fare të lehtë për ta kaluar Bologna-n në epërsi nëntë minuta para përfundimit të kohës së rregullt.

Njëkohësisht ky ishte edhe një asistim për rivalët e përbetuar të skuadrës së tij, Milan-in, të cilët tashmë qëndrojnë në krye të tabelës me 74 pikë, dy më shumë se zikaltërit.

Radu është mbushur plot kritika dhe gabimi i tij mund t’i kushtojë titullin Inter-it, teksa 24-vjeçarit rumun i ka dalë në mbrojtje agjenti Oscar Damiani, i cili tha këto fjalë për “TMW”.

“Edhe më të mirët gabojnë. Gaboi Donnarumma te PSG, Buffon te Parma. Fakti që nuk luan pothuajse kurrë nuk e ndihmon aspak, një portier ka nevojë për besim”, tha Damiani.

“Radu e mori vesh një orë përpara se do të ishte titullar, mos kujtoni se e kishte kaq të thjeshtë. Gabimi mbetet, por ai është i fortë, ka shumë karakter. Nuk luante prej dy vitesh, kështu që ndodh të gabosh”, deklaroi menaxheri i portierit.

Kujtojmë që është duke u zhvilluar një garë e ashpër për titullin kampion mes dy ekipeve të qytetit të Milanos.

Deri në fund kanë mbetur edhe katër xhiro për t’u zhvilluar në Serie A, ku Inter-i do të ballafaqohet me Udinese-n, Empoli-n Cagliari-n dhe Sampdoria-n.

Derisa Milan-i do të ketë punë me Fiorentina-n, Verona-n, Atalanta-n dhe Sassuolo-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore