Lajme

Aeroporti i Kabul-it mund të sulmohet sërish


E diela e 29 gushtit, mund të ndizet sërish nga një sulm tjetër në aeroportin e Kabul-it, sipas paralajmërimeve të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden.

SHBA-të ende po vazhdojnë ndërkaq me evakuimet.

Rreth 170 njerëz vdiqën pasi një sulmues vetëvrasës shënjestroi aeroportin të enjten e 26 gushtit.

Grupi IS-K mori përsipër sulmin vdekjeprurës.

Në shenjë hakmarrjeje, Shtetet e Bashkuara kryen një sulm me dron në Afganistanin lindor vonë të premten e 27 gushtit.

Autoritetet amerikane theksuan se gjatë këtij sulmi mbetën të vrarë dy anëtarë “të profilit të lartë” të IS-K.

Mbetet ende e paqartë nëse ata ishin të përfshirë drejtpërdrejt në planifikimin e sulmit në aeroportin e Kabulit.

Biden: Nuk ka falje, do ta paguani këtë sulm

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka reaguar pas sulmeve të ndodhura dhe marrjes së përgjegjësisë nga IS.

“Ne nuk do të falim. Ne nuk do të harrojmë. Do t’ju gjejmë dhe do t’ju bëjmë të paguani”.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, e ka bërë të qartë përgjigjen ndaj grupit terrorist ISIS-K, i cili kreu disa sulme terroriste kamikaze.

Thuajse i përlotur, duke kujtuar kohën kur ai vetë ka qenë për gjashtë muaj pjesë e luftës së Kosovës, Biden shprehu ngushëllimet ndaj familjarëve.

“Ata që humbën jetën janë heronj. Kanë qenë ushtarët më të guximshëm dhe më të zotë në botë. Ata kanë qenë dhe janë shtylla kurrizore e SHBA-ve”, vijoi Biden.

Mbi të gjitha, nuk ka asnjë lëkundje për të përmbyllur misionin e evakuimit. Ai do të përfundojë sipas planit, brenda 31 gushtit.

Sulmi i paralajmëruar

Mbi sulmet, që ndodhën në aeroportin e Kabulit, paralajmërohej prej dy ditësh.

Disa vende evropiane e kanë lëshuar alarmin paralajmërues. Ndër to, edhe zyrtarë nga Britania e Madhe.

Ndërsa presidenti amerikan, Joe Biden, ka garantuar se data 31 gusht, fundi i afatit për tërheqjen e amerikanëve, do të zbatohet.

Brenda natës, këto paralajmërime sa vijnë e rriten, për sulme të mundshme. Vende të tjera, edhe jo perëndimore, kanë filluar t’i tërheqin diplomatët e tyre dhe forcat e armatosura nga Kabuli.

Ministri i Forcave të Armatosura britanike, James Heappey, ka thënë për median britanike BBC se “ka burime të besueshme mbi rrezikun e sulmeve”.

Këto paralajmërime vijnë në një kohë kur talebanët kanë ngritur zinxhirë rrethuese përreth aeroportit të Kabulit.

Ndërsa, forcat amerikane e kanë perimetrin të siguruar për të mundësuar largimin e shtetasve të tyre.

Vende të tjera perëndimore kanë shpeshtuar fluturimet humanitare drejt Kabulit. Ata po mundësojnë jo vetëm tërheqjen e qytetarëve të tyre, por edhe të refugjatëve afganë.

Tri porta aeroportuale janë të rrezikshme gjithsesi. Udhëzime u janë dhënë të gjithë personave të huaj apo afganëve, që kanë ndihmuar SHBA-të dhe NATO-n, se si të shkojnë në aeroport në mënyrë të sigurt.

Shteti Islamik ka një mundësi të shtojë praninë në disa pjesë të Afganistan nga ana tjetër. Mjete me mina të telekomanduara mund të shkaktojnë sulme dhe incidente të rënda në Kabul.

Një pikëpyetje e madhe është ngritur edhe mbi atë çfarë mund të ndodhë, pas tërheqjes së plotë të amerikanëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore